Deontay Wilder vazhdon të jetë i pamposhtur në kategorinë WBC të peshave të rënda, pasi e mbrojti titullin përballë kubanezit Luis Ortiz.
Boksieri amerikan e ka ngritur në 40-0 rekordin e tij (39 nokaute), pas triumfit me nokaut teknik në përballjen e zhvilluar në Barclays Center në Brooklyn të New Yorkut.
Gjatë duelit ndaj Ortiz, Wilder pati një moment kritik dhe për pak sa nuk u nokautua, mirëpo ai arriti të kthehej dhe të shpallej fitues.
https://twitter.com/LanceFresh/status/970150083646849024
“Një kampion i vërtetë, gjithmonë e gjen mënyrën për t’u kthyer dhe këtë e bëra sonte. Luis Ortiz është një i krisur dhe bëri një duel fantastik. Ishte kundërshtar i madh dhe unë tregova se mund t’i duroj grushtet”.
“Kur të largohet sonte, ai mund të qëndrojë kryelartë. Ishte një duel fantastik dhe zemra ime është me Luis Ortiz”, ka deklaruar Wilder pas meçit.
Kjo fitore i ka hapur rrugë amerikanit që në të ardhmen të kërkojë një duel kundër Anthony Joshuas, i cili në fund të këtij muaji do ta zhvillojë meçin kundër Joseph Parker.
“Jam i gatshëm që tani. Gjithmonë kam thënë se e dëshiroj unifikimin (e titujve). Unë jam njeriu më i rrezikshëm në botë, njeriu më i keq në planet dhe këtë e kam dëshmuar sonte”.
“Sonte e kam konfirmuar këtë dhe shumë shpejt do të jetë vetëm një emër dhe ai do të jetë Deontay Wilder”, është shprehur boksieri.
Ai ka thënë se kundërshtari i ardhshëm i Joshuas, Joseph Parker, ka mundësi reale për ta mposhtur britanikun, por duhet të jetë i mençur gjatë meçit mes tyre.
“Parker duhet të jetë i mençur dhe ta realizojë planin e ndeshjes (ndaj Joshuas)”, ka shtuar kampioni WBC-së. /Telegrafi/