Deontay Wilder ka mbetur kampion bote në divizionin WBC, duke qenë se meçi ndaj Tyson Furyt përfundoi me pikë të barabarta pas 12 raundeve me vendim të gjyqtarëve.
Edhe pse boksieri britanik ishte më përpara me pikë gjatë raundeve në duelin e zhvilluar në Staples Center në Los Angeles, boksieri amerikan ia shkaktoi dy nokaute dhe mendon se ai duhej të shpallej fituesi.
“Mendoj se me dy nokautet, e fitova meçin. Të dy jemi luftëtarë, por me këto dy rrëzime, mendoj se unë e fitova duelin… Shpejtova me goditjet e mia, nuk isha i qetë, isha shumë në mëdyshje”.
“Kur je përballë dhe zhvillon një duel të këtillë, atëherë i jep tjetrit krejt çfarë ke, nuk ka të bëjë vetëm me të bërtiturat”.
“(Fury) tha se më do, më falënderoi për mundësinë, më tha ‘të dua, ndeshje e mrekullueshme’. Respekti është i dyanshëm”.
“Jam ngutur me goditjet e mia, diçka që zakonisht nuk e bëj. Po nxitoja, sforcohesha me goditjet e mia, në vend që të prisja dhe të isha i durueshëm”.
“Nuk ndjeja aspak presion. Vetëm nxitohesha me goditjet. Mirëpo, në rimeç, ju garantoj se do ta mposht”, ka theksuar Wilder.
Sidoqoftë, çështja e rimeçit ka mbetur të vendoset në të ardhmen, pasi asnjëri nga stafet nuk shpejtoi për të dhënë një deklaratë për të ardhmen.
Edhe pse vet boksieri amerikan theksoi se ishte i gatshëm për një përballje të dytë dhe do të presë kërkesën e kundërshtarit të tij.
“Do të më pëlqente që të ishte dueli im i radhës (rimeçi). Pse jo? T’ua japim tifozëve atë që duan të shohin. Ishte duel i shkëlqyer, le të bëjmë prapë. Për mua nuk ka rëndësi se ku”, ka deklaruar 33-vjeçari.
Në ndërkohë, vazhdon të mbetet opsion superdueli i shumëpritur ndërmjet Anthony Joshua dhe Deontay Wilder që mund të zhvillohet në prill të vitit 2019. /Telegrafi/