Telegrafi

Werder Bremeni konfirmon mungesën e Milot Rashicës në ndeshjet e Kosovës ndaj Moldavisë dhe Greqisë

Milot Rashica (Foto: Thomas Eisenhuth/Getty Images/Guliver)

Sulmuesi Milot Rashica pritet të jetë mungesa e madhe e Përfaqësueses së Kosovës për dy ndeshjet e shtatorit në kuadër të Ligës së Kombeve.

Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë dy sfidat e para për vitin 2020 në fillim të muajit shtator.

Dardanët do të nisin kampanjën e re në Ligën e Kombeve më 3 shtator, kur do të përballen me Moldavinë në udhëtim, ndërsa tri ditë më vonë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë do të presin Greqinë.

Lexo po ashtu Challandes zbulon listën me futbollistët e ftuar për dy ndeshjet e radhës - shumë rikthime

Megjithatë, përzgjedhësi Bernard Challandes pritet të ketë kokëdhimbje nga disa mungesa të mëdha shkaku i rregullave të disa shteteve kundër Covid-19.

Njëri nga lojtarët kryesor të Kosovës, Milot Rashica, pritet të jetë mungesa e madhe e dy përballjeve të Dardanëve gjatë shtatorit.

Rashica në aksion me fanellën e Kosovës (Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova)

Është vet klubi gjerman i Rashicës, Werder Bremen që ka konfirmuar mungesën e vushtrriasit në dy ndeshjet e Kosovës.

Lexo po ashtu Kosova në telashe, pesë lojtarë rrezikojnë të mos grumbullohen për ndeshjet e shtatorit shkaku karantinës në shtetet ku jetojnë

“Treshja Tahith Chong, Milot Rashica dhe Milos Veljkovic nuk do t’i bashkohen ekipeve të tyre kombëtare për të shmangur karantinës pas kthimit”, ka shkruar Werderi në profilin e tyre në Twitter.

Përveç Rashicës, Kosovës pritet t’i mungojnë edhe Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli (Zurich) dhe Idriz Voca (Luzern) nga Zvicra dhe Herolind Shala (Valerenga) dhe Elbasan Rashani (Odd) nga Norvegjia. /Telegrafi/