Telegrafi

Washington Post: Zyrtari ushtarak ukrainas dyshohet si koordinator i sulmit në gazsjellësin Nord Stream

Një zyrtar i lartë ushtarak ukrainas ka koordinuar sulmin e vitit të kaluar mbi gazsjellësin rus Nord Stream, raportoi Washington Post të shtunën, duke cituar burime anonime në Ukrainë dhe në Evropë.

Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet e shtatorit 2022, të cilat ndodhën jashtë ishullit danez të Bornholm dhe shkaktuan dëmtime në tre nga katër linjat e sistemit që sjell gazin rus në Evropë.

Washingtoni dhe NATO e quajtën një akt sabotazhi, ndërsa Moska tha se ishte një akt terrorizmi ndërkombëtar, transmeton Telegrafi.

Roman Chervinsky, një ish zyrtar i inteligjencës që ka shërbyer në forcat speciale të ushtrisë ukrainase, ka menaxhuar një ekip prej gjashtë personash, por nuk ka planifikuar sulmin, raportoi Washington Post. Megjithatë ai mohoi përfshirjen.

Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase i tha Reutersit, se ai “nuk kishte informacion” rreth pretendimit.

Ministria e jashtme e Ukrainës dhe shërbimi i sigurisë së brendshme i Kievit, SBU, nuk kanë reaguar dhe dhënë ndonjë koment.

Gazeta gjithashtu raportoi se presidenti Volodymyr Zelensky, i cili ka mohuar rolin e Kievit në shpërthime, nuk ishte në dijeni të operacionit. Zelensky javën e kaluar zëvendësoi shefin e forcave speciale të operacioneve të Ukrainës.

Gjermania, Danimarka dhe Suedia kanë nisur hetimet në lidhje me shpërthimet në Nord Stream, të cilat çuan në atmosferë stuhi metani në një rrjedhje që zgjati disa ditë.

Chervinsky aktualisht është në arrest për tejkalim autoriteti, pas një përpjekjeje në 2022 për të bindur një pilot rus të dezertojë në Ukrainë, e cila sipas hetimeve çoi në një sulm rus vdekjeprurës mbi një bazë ajrore ukrainase.

Kritik i hapur i administratës së Zelenskyt, Chervinsky, ka thënë se çështja kundër tij është e motivuar politikisht dhe se ai po ndiqte urdhra në atë operacion.

Shefi i tij i komandës në atë kohë, gjeneral-major Viktor Hanushchak, i tha mediave ukrainase më herët këtë vit se udhëheqja e lartë ushtarake kishte nënshkruar komplotin për të tërhequr pilotin rus.

Washington Post dhe gazeta gjermane Der Spiegel bashkëpunuan në raportimin dhe ranë dakord të publikojnë në të njëjtën kohë. /Telegrafi/