Telegrafi

Walter Zenga shprehet i gatshëm ta marrë drejtimin e Shqipërisë

Kombëtarja shqiptare është një pozicion i lakmueshëm edhe për emra trajnerësh prestigjiozë të skenës evropiane. Por, meqë Armand Duka ka dhënë sinjale të qarta se dëshiron që pasardhësi i Gianni De Biasit të jetë sërish italian, atëherë Walter Zenga del hapur dhe pranon se është gati të marrë drejtimin e Shqipërisë.

Ai thotë se është gati të nisë një aventurë në krye të kuqezinjve, edhe pse e di se do të jetë shumë e vështirë që të përsërisë suksesin e De Biasit.

Lexo po ashtu FSHF në kërkim të trajnerit dhe kompletimit të stafit teknik (Video)

“Sot stoli i Kombëtares shqiptare është një pozicion i lakmueshëm. Shqipëria është një skuadër që ka marrë pjesë në Evropianin e fundit dhe pa dyshim që më tërheq një aventurë në atë vend. (De Biasi) bëri një punë të shkëlqyer, jo vetëm në aspektin teknik, por edhe psikologjik. Së bashku me (Paolo) Tramezzanin arritën diçka madhështore”, ka thënë Zenga për Panorama Sport.

“E di që për çdo gjë do të më krahasojnë me De Biasin, por jam gati të marr përsipër edhe një sfidë të tillë… De Biasi ka bërë një punë të mirë, por ka lënë edhe një trashëgimi të madhe. Skuadra juaj është shumë e re. Si ish-portier mjafton t’ju kujtoj që keni Strakoshën dhe Berishën në Serinë A dhe kjo më bën të ndihem optimist. Ata janë shumë të talentuar dhe shumë të rinj”.

“Ajo që mund të them është se nëse bëhemi bashkë, pra skuadra, stafi, federata, media dhe tifozët, mund të përsërisim sërish një sukses së bashku për Evropianin e vitit 2020”, ka shtuar Zenga.

Gjatë karrierës si trajner, strategu italian ka drejtuar shumë skuadra, në mesin e tyre Catanian, Palermon dhe Sampdorian. /Telegrafi/