Site icon Telegrafi

VV: As Sllovenia e Fajonit nuk e ka të zgjidhur demarkacionin me Kroacinë

Në lëvizjen Vetëvendosje, kushti i BE-së për vizat vazhdon të cilësohet si i padrejtë, pasi sipas tyre, një kriter i njëjtë nuk është paraqitur te asnjë nga vendet e rajonit.

Zyrtarë të partive opozitare vlerësojnë se shtyrja e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës është rezultat i një marrëveshje të dëmshme që ka bërë Qeveria me Malin e Zi, ku Kosova sipas tyre, humbë mbi 8000 hektarë tokë.

Ata, po ashtu shprehen, se nuk mbajnë përgjegjësi për shtyrjen e vizave, duke thënë se janë duke e mbrojtur sovranitetin e vendit me refuzimin e kësaj marrëveshje, raporton lajmi.net

Në lëvizjen Vetëvendosje, kushti i BE-së për vizat vazhdon të cilësohet si i padrejtë, pasi sipas tyre, një kriter i njëjtë nuk është paraqitur te asnjë nga vendet e rajonit.

Frashër Krasniqi zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosjes, duke komentuar deklaratën e Tanja Fajon, raportuese për Parlamentin Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, e cila ka thënë se vendimi për vizat Kosovës i shtyhet për në shtator, për shkak mosratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, ka përmendur se edhe Sllovenia, nga vjen ajo nuk e ka të zgjidhur demarkacionin me Kroacinë, e që dy vendet janë anëtare të BE-së.

“Mali i Zi e ka fituar liberalizimin e vizave pa e zgjidhur demarkacionin me Kosovën. Njësoj Serbia. Pse duhet ky kusht t’i vihet vetëm Kosovës – e cila ka pritur më së gjati për liberalizimin e vizave”.

“Ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për mbrojtjen që po ia bëjmë territorit të Kosovës. Përgjegjësi duhet të mbajnë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa të cilët janë të gatshëm t’i falin Malit të Zi mbi 8000 hektarë, e jo të rinegociojnë atë marrëveshje në të mirë të Kosovës”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net.

Të martën Tanja Fajon, raportuese për regjimin pa viza për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe zv/presidente e Socialistëve dhe Demokratëve, i ka informuar deputetët evropianë të Komitetit LIBE se votimi për regjimin pa viza për Kosovën është shtyrë nga 12 korriku deri më 5 shtator.

“E mora këtë vendim për ta shtyrë votimin për liberalizimin e vizave për Kosovën deri në shtator, duke më ardhur keq që shoh se nuk është bërë përparim i mjaftueshëm sa i përket përmbushjes së kritereve të fundit, veçanërisht ratifikimit të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi”, ka thënë ajo ndër të tjera

Exit mobile version