Telegrafi

VV pranon se ka mospajtime mes partive opozitare (Video)

Brenda subjekteve opozitare ka mospajtime dhe për këtë arsye fronti opozitar mori vendim të shtyjë protestën e paralajmëruar për nesër, deri në konsolidimin e saj për të krijuar një alternativë shoqërore gjithëpërfshirëse. Kështu tha për KosovaPress, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, i cili shtoi se e janë dhe në pritje të epilogut nga Komisioni i ri i formuar nga presidentja për Demarkacionin.

“Protesta e planifikuar që të mbahet nesër është anuluar për arsye se ne nuk mund t’i anashkalojmë të gjitha zhvillimet brenda subjekteve opozitare, të cilat duhet të diskutohen fillimisht dhe të sqarohen deri në fund – që të mund të veprojmë bashkërisht”, tha Krasniqi.

Sipas tij, këto divergjenca në mes partive opozitare janë shfaqur në medie dhe se për këto duhet të sqarohet vetë opozita.

“Ka mospajtime, ka divergjenca të cilat janë shfaqë kohëve të fundit nëpër medie të ndryshme dhe këto divergjenca duhet të sqarohen që opozita të bëhet edhe më e fortë dhe më e konsoliduar. Ka një ide që të zgjerohet opozita duke u krijuar një alternative shoqërore gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Krasniqi theksoi se ideja për anulimin e protestës ka qenë diskutim i përbashkët.

“Ne do të vazhdojmë të protestojmë dhe për asnjë moment nuk mendojmë që të heqim dorë nga kauza jonë e drejtë. Por, kauza jonë fuqizohet nëse konsolidohemi dhe zgjerohemi duke u bërë më gjithëpërfshirës”, tha Krasniqi, duke shtuar se për datën e protestës së ardhshme do të njoftohen me kohë qytetarët e Republikës së Kosovës.