Site icon Telegrafi

VV nuk ndryshon qëndrim për demarkacionin: Nisni bisedimet me Malin e Zi, korrigjoni gabimin

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur edhe njëherë qëndrimin e saj lidhur me demarkacionin me Malin e Zi.

Ata shprehen se kjo marrëveshje nuk do të duhej të sillej në Kuvend, por raporti të dërgohet në prokurori.

Në një konferencë për media, deputetja e këtij subjekti politik, Arbërie Nagavci tha se janë për të shënuar kufirin me Malin e Zi, por nuk janë për të cenuar as një centimetër të territorit të Kosovës.

“E përsërisim se jemi për shënjimin e vijës kufitare por nuk jemi për të cenuar asnjë centimetër të territorit tonë. Qeveria duhet të nisë bisedimet me Malin e Zi për të korrigjuar atë çfarë ka ndodhur”, është shprehur ajo.

“Komisioni i ri qeveritar ka dhënë material të mjaftueshëm për të vërtetuar shqetësimet e shumë qytetarëve dhe deputetëve. Nga gjetjet zyrtare, marrëveshja nuk do të duhej të vinte fare në Kuvend. Është e pakuptueshme se si një kryeministër e dërgon këtë marrëveshje në Kuvend në vend që ta dërgojë në Prokurori. I bëjmë thirrje Kryeprokurorit që të nis hetime lidhur me këtë rast”, ka thënë Nagavci.

Ndërsa deputeti tjetër i VV-së, Ali Lajçi, ka deklaruar se është dëshmuar që territorit i Kosovës është rrudhur.

“Vetëvendosje e mban qëndrimin e saj, çdo tentim për ta ratifikuar këtë marrëveshje është i dështuar”, ka thënë ai./Telegrafi/

Exit mobile version