Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që të caktohet sa më shpejt data e zgjedhje të reja dhe ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në asnjë mbledhje ku do të diskutohet mundësia e mandatarit të dytë.
Në të kundërtën kjo parti opozitare ka theksuar se javën e ardhshme do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për të shpërbërë Kuvendin e Kosovës, teksa i bën me dije kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj se ai nuk mund të merr asnjë vendim madhor, por formalisht deri në zgjedhje të reja të kryejë funksionin e tij.
Shefi i deputetëve të VV-së, Glauk Konjufca, përmes një konference për media ka kërkuar që sa më shpejt të caktohet data e zgjedhjeve të reja.
Konjufca u shpreh optimist për një koalicion parazgjedhor me LDK-në dhe u shpreh kategorik kundër një qeverie teknike, pavarësisht presionit ndërkombëtar.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në ato mbledhje ku do të diskutohet mandatari. Nëse luhet kjo lojë nga ana e presidentit, ne në javën e ardhshme do të thërrasim seancë të jashtëzakonshme për të shpërbërë Kuvendin”, tha ai.
Ndërkaq, nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi, tha se Qeveria në dorëheqje nuk duhet të merr asnjë vendim madhor që do të ndikonte në qeverinë e ardhshme.
“I bëj me dije qeverisë që mos të futet në asnjë aventurë që do të bënte Qeverinë e ardhshme ta anulojë qysh në ditën e parë. Kjo përfshin ndërprerjen e çfarëdo aktiviteti për privatizim të Telekomit apo futjes në borxhe, si dhe ndërprerje të aktiviteteve për autostradën e Dukagjinit”, tha Bislimi.