Site icon Telegrafi

VV-ja kërkon hetim ndaj disa kompanive të ujësjellësit për mosraportim real të ujit të prodhuar

Deputeti Armend Muja, në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka folur për parregullsitë në disa ujësjellës të Kosovës për mosraportim real të ujit të prodhuar.

Muja theksoi se grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! qysh në vitin 2021 ka dalë me dy rekomandime sa i përket ujit në disa ujësjellës të Kosovës. Rekomandimi i parë ka qenë që të instalohen ujëmatësit e ri në të gjitha burimet e ujësjellësve të Kosovës, dhe rekomandimi i dytë që të bëhet auditimi i ujit të prodhuar, shpenzimeve dhe investimeve kapitale.

“Autoriteti rregullativ i ujit ka dërguar raport në lidhje me ujin e prodhuar në Kosovë për vitin 2023 duke vërtetuar dyshimet tona fillestare. Konkludimi i autoritetit të ujit është që uji në ujësjellësin e Prizrenit, është nënraportuar. Në vitin 2023, sipas ARRU-së po prodhohen 73% më shumë ujë sesa në vitin 2022, para instalimit të ujëmatësve, kurse te ujësjellësi rajonal ‘Hidro Drini’ në Pejë, në vitin 2023, pas instalimit të ujëmatësve, po prodhohen 41% më shumë ujë sesa në vitin 2022”, tha Muja.

“Në bazë të tendencës së përllogaritjes së ujit të faturuar, dëmi që ne e gjykojmë, vetëm në këto dy ujësjellës, që i është bë interesit publik, e kap shifrën vjetore rreth 6 milionë euro, apo për periudhën e raportuar në 10 vitet e fundit duhet të jetë diku rreth 60 milionë euro, pa kalkuluar edhe dëmet tjera që mund të jenë në ujësjellësit tjerë rajonal”, tha ai.

Deputeti Muja, ndër të tjera tha se tek Peja, në dy vitet e fundit ka pasur refuzime të vazhdueshme nga ish menaxhmenti për instalimin e ujëmatësve në burim.

“ne i kemi disa supozime fillestare se ku ka shkuar dhe kush ka përfituar nga këto nënraportime të qëllimshme, por ato të njëjtat do t’i referohen prokurorit për hetim të mëtutjeshëm.

Përkushtimi ynë për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje ka filluar tash, dhe ne do të orientohemi në dy drejtime.

Fillimisht të gjitha këto lëndë do t’i drejtohen prokurorit të shtetit për ta trajtuar se kush ka qenë përfituesi, dhe kush kanë qenë përgjegjësit penal për këtë çështje, por në ndërkohë edhe të punohet në adresimin e defekteve strukturore në mënyrë që këto dhe gjetjet e tjera të mos përsëriten më, si rezultat i dëshirës ose mosvullnetit politik të një subjekti ose një individi të caktuar, i cili për një moment të caktuar e qeverisë një sektor të rëndësishëm si ky”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version