Site icon Telegrafi

VV e quan proces të kompromentuar rekrutimin e noterëve, PDK rehatoi militantët e saj

Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media, ka shprehur shqetësimin lidhur me procesin e rekrutimit të noterëve, duke theksuar se ky proces është i kompromentuar dhe se qëllimi i tij është dhënia e licencës për persona të afërt me ta.

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu ka thënë se si është e mundur që në mesin e 600 kandidatëve të kalojnë provimin personat e afërt me PDK-në.

“Në kohën kur Kosova të paktën publikisht po duket se po përpiqet t’i bind shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, Ministrisë së Drejtësisë e cila duhet të jepte kontribut në këtë drejtim, i del në shesh skandali i procesit të rekrutimit të noterëve të rinj. Ky proces është i kompromentuar dhe qëllimi kryesor po del të jetë dhënia e licencës së njerëzve të tyre duke vazhduar kështu kapjen e shtetit. 600 kandidatë kanë aplikuar dhe si ka mundësi që bash militantët e partisë së Abelard Tahirit , familjarët e anëtarëve të komisionit arrijnë të kalojnë testin me shkrim”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se PDK më nuk po ka vende në institucione për rehatimin e militantëve të saj dhe tashmë ka filluar kapjen edhe profesioneve të lira siç është ai i noterit.

Në këtë konferencë ka folur edhe deputetja Fitore Pacolli. Ajo ka thënë se qeveria nuk ka punuar as sa i përket kriterit për luftim të korrupsionit, për liberalizim të vizave.

Pacolli ka thënë se në rastet që janë shenjëstruar nuk është asnjë person i profilit të lartë.

“Nuk janë futur në lista lëndë ku janë të përfshirë persona të nivelit të lartë … strukturat e pushtetit janë kujdesur që të mos shenjëstrojnë raste ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit”, ka theksuar Pacolli./Telegrafi/

Exit mobile version