Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka caktuar datën e 1 shtatorit për mbajtjen e seancës plenare për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
E pikërisht në këtë ditë, subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ka thirrur protestë gjithëpopullore në Prishtinë.
Këtë e bëri të ditur sot në një konferencë për media, lideri i VV-së, Visar Ymeri.
“Më 1 shtator protestojmë në sheshin e Prishtinës. Demarkacionin do ta ndalim me çdo kusht e çdo mjet demokratik”, ka thënë ndër të tjera i pari i VV-së, Visar Ymeri
Telegrafi kishte raportuar edhe mbrëmë për planifikimin e mbajtjes së kësaj proteste më 1 shtator.
E thirrja e kësaj proteste nga VV-ja, nuk ka marrë mbështetjen e dy partive të tjera opozitare, AAK e Nisma për Kosovën.
Në AAK kanë deklaruar se nuk kanë qenë pjesë e konsultave e as organizmit të kësaj proteste.
Por, një gjë të tillë e kanë mohuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Zëdhënësi i kësaj lëvizje, Frashër Krasniqi ka thënë për Telegrafin se i kanë ftuar të dy subjektet për takim dhe koordimin për caktimin e mbajtjes së protestës.
“Para se të vendosim për protestën, ne i kemi ftuar të dy subjektet për takim dhe koordinim, por ka pasur mungesë interesimi nga ana e tyre. Ne mendojmë që tash e 12 muaj demarkacioni është pamundësuar në saje të protestave të fuqishme brenda dhe jashtë Kuvendit”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka shtuar se nuk ka kuptim të heqim dorë nga protestat kur tashmë është konfirmuar që ato janë efektive dhe përmes tyre arrijmë parandalimin e marrëveshjeve të dëmshme.
Vetëvendosje edhe më parë kishte paralajmëruar se rezistenca e tyre do të jetë e pakompromis për të ndalë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, të cilën ata e konsiderojnë të dëmshme për vendin./Telegrafi/