Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit e cila ka lënë në fuqi masat e shqiptuara ndaj gjashtë aktivistëve të arrestuar lidhur me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
Vetëvendosje përmes një njoftimi ka thënë se Gjykata e Apelit, sot e kishte mundësinë që ta korrigjonte gabimin e bërë me arrestimin e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s dhe t’i lironte ata, por edhe për deputetin Glauk Konjufca, edhe për gjashtë të arrestuarit e tjerë, Gjykata e Apelit i ka lënë në fuqi masat e padrejta të shqiptuara ndaj tyre.
“Përderisa, gjashtë të arrestuarit po mbahen pa asnjë provë e asnjë argument, krejtësisht të pafajshëm, Gjykata sot, përmes gjuhës së shkeljes të së drejtës, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për t’ua hequr atyre masat e ndalimit.
Gjykatat e këtij sistemi, në të njëjtën ditë që ofendohen nga sjellja arrogante e hipokrite të shefit të shefave, anëtarit të “Prontos”, Adem Grabovcit, tregohen të fuqishme me aktivistët e VETËVENDOSJE!-s. Dinjitetin e nëpërkëmbur nga tallja e Grabovcit, gjykatësit nuk mund ta rikuperojnë me ndjekjen e aktivistëve sepse ata i kanë arrestuar padrejtësisht”, thuhet në njoftimin e tyre.
VV ka theksuar se duke lënë në liri kriminelët dhe duke bërë inskenime të dobëta mundohen t’i mbushin raportet e punës. Por, montimet e rasteve politike janë shenja të dobësisë së pushtetit dhe jo të së drejtës, e as të fuqisë. Ashtu sikurse përpjekja jonë është e pandalshme, tashmë, askush nuk mund ta ndalë këtë pushtet në tatëpjetën që ka marrë./Telegrafi/