Telegrafi

I vuri dy herë brenda muajit zjarrin lokalit të Noizyt, arrestohet kushëriri i reperit

Foto: Noizy/Instagram

Kushëriri i këngëtarit reper Noizy identifikohet dhe arrestohet si zjarrvënësi i përsëritur i objekteve në pronësi të familjes Rajku.

Policia ka identifikuar dhe arrestuar mëngjesin e sotëm 26-vjeçarin Eraldo Musteqja, si autor i dyshuar i 3 zjarrvënieve të qëllimshme gjatë muajit qershor.

Në orët e para të ditës së sotme 26-vjeçari me një thikë në dorë është shfaqur pranë lokalit Zins në Currila të Durrësit dhe i ka vënë flakën ambienteve të jashtme të tij, konkretisht verandës. Zjarrfikësit me të marrë njoftim kanë shkuar dhe bërë fikjen e zjarrit, ndërsa policia ka mundur të kapë autorin e dyshuar që është dhe djali i dajës së Noizyt.

Lexo po ashtu Pas djegies së lokalit, reagon Noizy - tregon imazhin e familjarit ekstremist që e kreu veprën për shkak të bindjeve fetare

Ky person pas një konflikti me Noizyn dhe hallën e tij është përfshirë në akte të qëllimshme për t’i dëmtuar. Pas zjarrit të rënë më 11 qershor në të njëjtin lokal Noizy dhe stafi i lokalit nxituan të thonë se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike, mesa duket për të shmangur denoncimin ndaj familjarit të tyre i cili mëngjesin e sotëm doli hapur duke kërcënuar me armë të ftohtë dhe vënë flakën lokalit të Rigels Rajkut, lokal që është në emër të babait të tij. Më 10 qershor, i njëjti person dyshohet se i vuri zjarrin edhe derës së shtëpisë së këngëtarit.

Më poshtë njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, për zbardhjen e tre rasteve të zjarrvënieve ndaj biznesit dhe banesës së të njëjtës familje.

I vuri 2 herë (mëngjesin e sotëm dhe më datë 11.06.2023) zjarrin një lokali në lagjen “Currilat”, si dhe derës së banesës së nënës së pronarit të këtij lokali, identifikohet dhe arrestohet në flagrancë 26-vjeçari.

I ndaluari, lidhje familjare e shtetasve të dëmtuar.

Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit iu sekuestrua një mjet prerës (thikë).

Si rezultat i punës intensive hetimore për disa raste zjarrvëniesh, të kryera gjatë periudhës 10.06.2023-29.06.2023, si dhe në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të situatës në nivel qarku, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Përsëritësi”, në kuadër të të cilit u identifikua, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Eraldo Musteqja, 26 vjeç.

Nga veprimet e shpejta dhe profesionale policore, 26-vjeçari (lidhje familjare e shtetasve të dëmtuar) u kap në flagrancë mëngjesin e sotëm, pasi i kishte vënë zjarrin një lokali në lagjen “Currilat”, në pronësi të shtetasit B. Rajku.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se i njëjti shtetas i ka vënë zjarrin të njëjtit lokal, më datë 11.06.2023, si dhe derës së banesës së nënës së pronarit të këtij lokali, më datë 10.06.2023.

Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një mjet prerës (thikë).

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtyre rasteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /TCH/