Site icon Telegrafi

Vuçiq: Më shqetëson takimi në Berlin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq thotë se është shumë i shqetësuar për gjithçka që po ndodhë aktualisht si dhe për shkak të takimit të ardhshëm në Berlin.

“Unë jam i shqetësuar për gjithçka dhe për shkak të takimit në Berlin. Jo pse kam frikë nga ndonjë presion, as nuk mendoj se do të ketë. Por nuk po shoh se si dhe çfarë tutje me njerëzit, që  janë aq të papërgjegjshëm, siç janë udhëheqësit shqiptarë sot. Kjo është ajo që shkakton shqetësim të madh dhe një frikë të caktuar te unë, por kjo do të na shtyjë të sillemi në mënyrë më serioze dhe më të përgjegjshme”, tha sot Vuçiq, pas vizitës në Qendrën klinike të Serbisë.

Lexo po ashtu Vuçiq: Në Berlin do të jetë vështirë për Serbinë, por nuk e nënshkruaj njohjen e Kosovës

Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq ka thënë se ka parë se sa shumë vëmendje dhe pritje i kishin dhënë mediat shqiptare asaj që ndodhi të shtunën në rrugët e Beogradit [protesta e opozitës kundër presidentit serb] dhe se “mediat e Thaçit dhe Haradinajt i janë gëzuar asaj që potencialisht pritet t’i ndodhë Vuçiqit”, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Weber: Marrëveshja Kosovë-Serbi, beteja e fundit e Merkelit në Ballkan

“Kjo më dha forcë shtesë dhe shpresën se po bëjë gjëra të mira për vendin tonë dhe njerëzit tanë në Kosovë”, tha presidenti.

Ai shtoi se mediat shqiptare, ndryshe nga ato gjermane dhe zvicerane, si dhe kroate, i panë gjërat nëpër rrugë në një mënyrë tjetër.

Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Franca kanë vendosur të mbledhin në Berlin më 29 prill udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë serb, Aleksandar Vuçiq.

Samiti do ta ketë theksin tek bashkëpunimi rajonal, por një nga qëllimet kryesor të këtij takimi duket se do të jetë fillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë./Telegrafi/

Exit mobile version