Site icon Telegrafi

Vuçiq hedh poshtë qëndrimin amerikan për Asociacionin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hedhur poshtë qëndrimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Presidenti serb, gjatë qëndrim në Paris, në një intervistë për Televizionin e Serbisë (RTS), pyeti se pse Beogradi ka negociuar dhe po negocion në Bruksel për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Kjo do të thotë se serbët edhe sot mund ta themelojnë atë Asociacion, nëse është në përputhje me Kushtetutën e të ‘ashtuquajturës’ Kosovë dhe se askush nuk mund t’i pengojë ta bëjnë këtë”, tha Vuçiq, transmeton Telegrafi.

Ambasadori amerikan Hovenier deklaroi më 9 nëntor se ekziston një urgjencë e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe se draft statuti i saj është shqyrtuar nga BE-ja dhe SHBA-ja dhe se është përgatitur për të qenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Lexo po ashtu Hovenier për Asociacionin: Ekziston një urgjencë, ka kërkesë që gjërat të lëvizin shpejt

Në komentin e tij, Vuçiq citoi fjalën e urtë “Çfarë është e bukur për gjyshen, atë e ka ëndërruar”.

Hovenier edhe më herët ka ripërsëritur se SHBA-të vazhdimisht theksojnë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese.

Vuçiq, gjatë qëndrimit në Paris  u takua me presidentin francez Emmanuel Macron në Pallatin Elysee.

“Diskutuam marrëdhëniet dypalëshe, rrugën evropiane të Serbisë, vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, çështjet ekonomike dhe të tjera të rëndësishme rajonale dhe globale”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se për detajet e takimit do të flasë të shtunën.

Vuçiq ka kujtuar edhe takimin e fundit që kanë pasur në Granada të Spanjës.

“Ne folëm gjatë për momentin e vështirë për Serbinë, menjëherë pas Banjskës. Serbia duhet të respektojë qëndrimin e presidentit francez”, tha Vuçiq

Ai shprehu shpresën se Macron do të vizitojë Serbinë së shpejti./Telegrafi/

 

Exit mobile version