Telegrafi

Vritet një gjeneral rus në Ukrainën lindore

Një gjeneral rus u vra në Ukrainën lindore, tha të dielën një gazetar i medias shtetërore ruse, duke shtuar vargun e viktimave ushtarake të rangut të lartë.

Raporti i publikuar në aplikacionin e mesazheve Telegram nga reporteri i televizionit shtetëror Alexander Sladkov, nuk tha saktësisht se kur dhe ku u vra gjeneralmajor Roman Kutuzov.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga ministria ruse e mbrojtjes.

Forcat ruse kanë intensifikuar sulmet për të kapur Sievierodonetsk, një qytet kyç në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës që Moska po e synon pasi dështoi në marrjen e kryeqytetit Kiev në fillim të luftës, transmeton Telegrafi.

Rusia tashmë i klasifikon vdekjet ushtarake si sekrete shtetërore edhe në kohë paqeje dhe nuk i ka përditësuar shifrat e saj zyrtare të viktimave në Ukrainë që nga 25 marsi, kur tha se 1,351 ushtarë rusë ishin vrarë që nga fillimi i fushatës së saj ushtarake më 24 shkurt.

Rusia thotë se po kryen “operacion special ushtarak” i krijuar për të çmilitarizuar Ukrainën dhe për ta çliruar atë nga nacionalistët që kërcënojnë popullsinë rusisht-folëse. Ukraina dhe vendet perëndimore hedhin poshtë pretendimet e Rusisë si një pretekst për të pushtuar.

Ministria britanike e mbrojtjes tha të hënën se Rusia duket se ka pësuar humbje të konsiderueshme mes oficerëve të rangut të mesëm dhe të ri në Ukrainë. /Telegrafi/