Ish-efektivi i policisë në Dibër, Arbër Sula është njohur me masën e sigurisë “Arrest me burg” për vrasjen e Jurgen Dukës vitin e kaluar.
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg ish-policin, i cili ka rrëfyer se nuk e njihte viktimën dhe se e ka qëlluar për shkak të panikut, raporton A2 CNN.
Më herët këtë jave, Sula u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë nr. 2 në Tiranë, dhe pretendon se një veprim të tillë e ndërmori pas komunikimeve të vazhdueshme me familjen.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Arbër Sula, ishte jashtë shërbimit, kur më 14 dhjetor, pas një konflikti të momentit, nxori armën dhe qëlloi ndaj Dukës, në një debat që u zhvillua për radhën se kush do të paguante në market.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë. Ish-punonjësi i Policisë ka dorëzuar armën e shërbimit me të cilën kreu krimin, së bashku me municionin luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. /Telegrafi/