Site icon Telegrafi

Vrasja në Podujevë, gjithçka ndodhi në sytë e fëmijës 4-vjeçar

Një person është vrarë të hënën në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, e një tjetër ka mbetur i plagosur. E gjithë ngjarja ndodhi në sytë e fëmijës së tyre, 4-vjeçar. Motivet në lidhje me rastin ende nuk dihen, teksa xhaxhai i viktimës thotë se i njëjti nuk kishte probleme më herët.

U nisën me bashkëshorten për të blerë gjëra ushqimore, por përfundoi tragjikisht.

Një person rreth të 30-ave u privua nga jeta ndërsa gruaja e tij mbeti e plagosur.

E gjithë ngjarja në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë ndodhi në sytë e fëmijës së tyre katër-vjeçar.

Xhaxhai i viktimës tregon se i ndjeri nuk ka pasur probleme më herët dhe se me të njëjtin ishte parë në mëngjes.

“Kanë qenë në mëngjes tek unë, kemi pi kafe me të dhe gruan e tij, më vonë shkuam te shtëpia e tij, më thirrën të shkoj të blej harq për shtëpi, unë dola deri në qytet. Nuk e di për çka u kon vrasja, nuk na ka tregu që ka pas me dikë problem. Allahu e di qysh do të kryhen këto raste, nuk kanë pas probleme më herët, edhe bashkëshortja është e familjes së mirë, edhe atë e kanë rrok plumbat, djali 4-vjecar ka qenë afër tyre në momentin e ngjarjes”, ka deklaruar xhaxhai i viktimës.

Lexo po ashtu Vrasja në Podujevë, nga QKUK thonë se gruaja është plagosur në pjesën e barkut

Bashkëshortja e viktimës e cila ka mbetur e plagosur është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Në momentin kur kemi arrit në vend të ngjarjes, personi që ka qenë i shtrirë me gjakderdhje prej koke ka pas plagë me armë zjarri, ka qenë pa shenja jete. Ndërsa personi tjetër, femër, është plagosur me armë zjarri në bark në e anën majtë, këtë e kemi dërguar me shpejtësi në Prishtinë, me shenja jete, momentalisht është në gjendje të rregullt, vazhdon trajtimi atje”, ka bërë të ditur Bedri Hyseni nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Podujevë.

Aktualisht policia e Kosovës po vazhdon ta hetojë rastin, mirëpo kanë thënë se nuk identifikuar ende ndonjë të dyshuar.

“Rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur. Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lexo po ashtu Vritet një person dhe një tjetër plagoset nga të shtënat me armë në Podujevë

Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në ndriçimin e rastit.

“Me të pranuar informatën nga Policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Sipas informatave fillestare, në rrugën “Zahir Pajaziti” Podujevë, nga të shtënat me armë zjarri, një person nuk ka mundur t’iu mbijetoj plagëve të marra nga arma e zjarrit, me ç’ rast nga ekipi mjekësor është konstatuar pa shenja jete, ndërkaq një person tjetër është plagosur dhe dërguar për ta marrë ndihmën mjekësore. Aktualisht, Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për t’i ndriçuar rrethanat e rastit, si dhe identifikuar personat e dyshuar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë themelore të Prishtinës.

Kjo është vrasja e dytë për të cilën policia ka raportuar vetëm brenda muajit shtator./RTV Dukagjini/

Exit mobile version