Në gjykimin për vrasjen e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq, dy ish-policët e Njësisë Regjionale të Mitrovicës, Mirsada Mustafa dhe Jugosllav Bugovac, kanë thënë se kur kishin dalë në vendin e ngjarjes, vendi ishte i siguruar me shirita të policisë dhe policë.
Këto deklarime, Mustafa dhe Bugovac i dhanë në seancën e së enjtes, të cilët u dëgjuan në cilësinë e dëshmitarëve, të propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Spapojeviq, avokati Faruk Korenica.
“Gjithçka është kryer sipas rregullave, i kanë vendosur shiritat e verdhë ashtu siç e kam cekur më lartë, na kanë dhënë informacione përkatësisht na ka treguar se ku kanë qenë gëzhojat dhe absolutisht nuk ka pasur asnjë dyshim, po të kishte dyshim pas kaq vite të përvojës sime me siguri se do ta lajmëroja pa marrë parasysh për kë bëhet fjalë, sepse punën time e kam kryer ashtu siç duhet duke respektuar rregullat dhe procedurat e punës si dhe Ligjin e Kosovës”, tha dëshmitarja Mustafa.
Mustafa deklaroi se në vendin e ngjarjes nuk kanë kaluar as qytetarë në këmbë e as vetura që do të mund t’i dëmtonin provat në vendin e ngjarjes.
“Absolutisht jo, rruga ka qenë komplet e bllokuar dhe nuk ka pasur qasje përveç personave zyrtarë që kanë qenë me rroba civile, por ka pasur edhe me uniformë, them dhe vërtetoj për kohën kur unë kam qenë në vendin e ngjarjes”, tha Mustafa.
Edhe dëshmitari Bugovac tha se vendi ka qenë i siguruar dhe nuk ka pasur kalim të veturave.
“Shumë i sigurt jam që jo, dua t’ju them se unë në ato momente nuk kam qenë i obliguar në sigurimin e vendin të ngjarjes, ndërsa vendi i ngjarjes ka qenë i siguruar me shiritin e policisë, kanë qenë prezent policë dhe nga ana tjetër policë të uniformuar, d.m.th. nuk ka pasur kalim te veturave dhe të njerëzve”, ka thënë Bugovac.
Të dy deklaruan, se ditën kritike, kishin marrë urdhër nga shefi i tyre Nenad Simiq, që të dalin në vendin e ngjarjes pasi që ka pasur informacione se diçka i ka ndodhur tani të ndjerit Ivanoviq tek selia e partisë së SDP.
Të njëjtit thanë se në vend shikim kishin shkuar në mëngjes me disa kolegë tjerë policë dhe disa zyrtarë të Forenzikës.
Me daljen në vendin e ngjarjes dëshmitarja Mustafa tha se kishin hasur në policë patrullues të cilët e kishin e siguruar vendin e ngjarjes, e që aty e kishte takuar kolegun e saj, tani të akuzuarin Spasojeviq.
Ajo deklaroi se Spapojeviq i kishte njoftuar ata me informatat e para të rastit si dhe iu kishte treguar se ku janë gjetur gëzhojat e armës.
“Si edhe në çdo rast tjetër polici hetues i stacionit çdo herë vjen i pari në vendin e ngjarjes pas patrullës dhe me ardhjen tonë ne kontaktojmë me të dhe marrim informatat e para në lidhje me rastin , ashtu edhe në këtë rast ne kemi kontaktuar me të ku na ka shpjeguar përkatësisht na ka udhëzuar ku janë gjetur gëzhojat dhe për të gjitha informacionet tjera të cilët i ka pasur deri atëherë të cilat nuk kanë qene të plota”, tha dëshmitarja Mustafa.
Pastaj, ajo tha se kishte shkuar në spital për të marrë informata të sakta rreth gjendjes së Ivanoviqit.
Në spital e njëjta tregoi se kishte qenë një turmë e madhe e njerëzve si dhe nuk kishin arritur menjëherë të merret informacionin e saktë, pasi që sipas saj doktorët janë larguar për të dhënë informata nëse i Ivanoviq ka ndërruar jetë apo jo.
Sipas saj, lajmin se Ivanoviq kishte ndërruar jetë e kishte kuptuar më vonë kur njësia nga Prishtina kishte arritur aty.
Sa i përket vendit të ngjarjes, dëshmitari Bugovac tha se të njëjtin e kishin siguruar akoma më shumë duke e zgjeruar shiritin e sigurisë.
Tutje, ai ka thënë se në vendin e ngjarjes kishte përpiluar raportin policor për të gjitha masat dhe veprimet që ishin ndërmarrë, e që të njëjtën pastaj ia kishte dorëzuar hetuesit që ka qenë në detyrë.
Bugovac deklaroi se pas tyre në vendin e ngjarjes kishte arritur edhe prokurori Nijazi Rexha e pastaj edhe Njësia e Krimeve të Rënda nga Prishtina.
Me të njëjtit, ai ka thënë se pastaj në rrugë ku do që kanë parë kamera që ka pasur pamje nga ajo rrugë dhe ato objekte kanë tentuar t’i marrin dhe të shohin se çfarë ka ndodhur.
Sipas tij, ku do që kishin hyrë e që kishte pasur kamera i kishin marrë DVR me incizime.
Po ashtu, ai ka thënë se edhe në zyrën e partisë politike SDP është gjetur një DVR, të cilin e kishin marrë së bashku më zyrtarin e Forenzikës, e që të njëjtin e kishin mbyllur në qese dhe e kishin dërguar për ekspertizë.
Bugovac ka thënë se deri sa po e merrnin kamerën në zyrën e partisë SDP, tani e akuzuara Silvana Arsoviq gjithë kohës kishte vajtuar me të madhe dhe sipas tij askujt më shumë se asaj nuk iu ka dhimbsur Ivanvoiqi.
E në lidhje me atë se kamerat para vrasjes së Ivanoviq kanë funksionuar, ndërsa janë ndërpre në momentin e atentatit, e që pas kësaj janë lëshuar prapë, i njëjti theksoi se këtë e kishte dëgjuar më vonë nga mediat, raporton betimiperdrejtesi.
Bugovac, pohoi se në vendin e ngjarjes i ka parë edhe tani të akuzuarit Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe sipas tij detyra e tyre ka qenë sigurimi i vendit të ngjarjes.
Të dy dëshmitarët, Mustafa dhe Bugovac deklaruan se për rastin në fjalë 2-3 ditë më vonë ishte formuar një grup punues i përbërë nga njësia e hetuesve regjional dhe njësia e Krimeve të Rënda në Prishtinë, por që të njëjtit nuk kishin qenë pjesë e këtij grupi.
Gjithashtu, ata thanë se ditën kritike kur ka ndodhur ngjarja, i akuzuari Rade Basara ka qenë në pushim vjetor.
Në lidhjen me shfrytëzimin e veturës zyrtare të policisë, dëshmitarët thanë se njëjta merret për detyra zyrtare dhe me lejen e shefit dhe sipas tyre tani viteve të fundit të njëjta janë të pajisura dhe me GPS dhe mund të përcjellën se nga lëvizin.
Sipas dëshmitares, marrja e veturës zyrtare pa respektimin e rregullave nuk do të ishte detyrë zyrtare.
Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.
Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, sipas së cilës, Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal, lidhur me veprat penale “Vrasje rëndë” nga neni 179, par.1.9 të Kodit Penal dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.
I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.