Telegrafi

Vrasja e gruas, sonte ndezën qirinj në Pejë – të mërkurën marsh paqësor

Syri i Vizionit dhe organizatat tjera të shoqërisë civile në Pejë janë shprehur thellësisht të trishtuara dhe të indinjuara nga rritja e rasteve të vrasjeve të qëllimshme të grave – femicidi.

Në reagim thuhet se vrasjet brutale të grave dhe vajzave vazhdojnë të rëndohen përditë, duke nënvizuar nevojën urgjente për veprim për të adresuar këtë çështje serioze.

“Rasti i fundit tragjik i kësaj natyre i ndodhur sot në qytetin e Pejës iu shtua shifrave alarmante të viteve të fundit në vendin tonë.

Vrasja e qëllimshme e grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre, është një krim i urryer që jo vetëm ua grabit jetën individëve, por gjithashtu u shkakton trauma të qëndrueshme familjeve dhe komuniteteve. Çdo femicid është një kujtesë e ashpër e dhunës dhe pabarazisë sistematike me bazë gjinore që vazhdon në shoqërinë tonë”, thuhet tutje.

Lexo po ashtu Pas vrasjes në Pejë, proteston Kolektivi Feminist: Të shpallet gjendje emergjente

Syri i Vizionit dhe organizatat tjera të shoqërisë civile në komunën e Pejës i bën thirrje qeverisë, agjencive të zbatimit të ligjit dhe komuniteteve që të bashkohen në një përpjekje kolektive për t’i dhënë fund femicidit.

“Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjarët dhe të dashurit e viktimës së fundit në qytetin tonë, Gjyljeta Ukella. Do të vazhdojmë të avokojmë pa u lodhur derisa çdo grua dhe vajzë të mund të jetojnë në një botë ku të drejtat e tyre respektohen dhe jeta e tyre vlerësohet”, thuhet në reagim.

Në reagim bëhet e ditur se sonte në ora 19:30, në qendër të qytetit të Pejës do të bëhet ndezja e qirinjve.

Ndërsa, të mërkurën, duke filluar nga ora 11:00 do të organizohet marshi paqësor me moton “Kot flasim, derisa ata vrasin”.

Marshi fillon nga qendra e qytetit për të vazhduar tek objektet e Policisë, Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Themelore në Pejë. /Telegrafi/