Site icon Telegrafi

Vrasja e burrit që dogji Kuranin ishte transmetuar drejtpërdrejt në TikTok, policia suedeze gjeti në apartamentin e tij telefonin e ndezur

Një aktivist anti-islamik që shkaktoi zemërim në të gjithë vendet myslimane për djegien e Kuranit, është qëlluar për vdekje në Suedi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në TikTok.

Salwan Momika, 38 vjeç, u qëllua në mënyrë të pamëshirshme në një apartament në qytetin e Sodertalje të mërkurën mbrëma.

Mediat suedeze raportuan se Momika po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok në kohën kur u qëllua, transmeton Telegrafi.

Një video e siguruar nga Daily Mail tregoi policinë duke marrë një telefon, dhe duke i dhënë fund një transmetimi të drejtpërdrejtë që dukej se ishte nga llogaria TikTok e Momika.

Refugjati irakian ishte i njohur për organizimin e demonstratave publike, ku ai dogji dhe shkatërroi librin e shenjtë – një veprim që nervozoi myslimanët në mbarë botën.

Një gjykatë e Stokholmit do të vendoste të enjten nëse Momika, një irakian i krishterë që dogji Kuranet në një protestë të madhe në vitin 2023, dhe bashkëprotestuesi i tij Salëan Najem, ishin fajtorë për nxitje të urrejtjes etnike.

Lexo po ashtu Njeriu që dogji Kuranin në vitin 2023 raportohet se është vrarë në Suedi

Sipas fletës së akuzës, dyshja kishin përdhosur dhe djegur Kuranin dhe gjithashtu kishin bërë komente nënçmuese për myslimanët.

Ajo e shtyu vendimin për më 3 shkurt, duke thënë se “për shkak se Salëan Momika ka vdekur, nevojitet më shumë kohë”.

Najem shkroi në X këtë mëngjes: ‘Unë e kam radhën’.

Policia tha se ka shkuar me shpejtësi në vendngjarje, ku ka gjetur Momikën të plagosur me armë zjarri. Ai u dërgua me urgjencë në spital dhe më vonë u konfirmua i vdekur.

Pesë persona janë arrestuar në lidhje me vdekjen e Momikës, tha policia në faqen e saj të internetit. Ata nuk thanë nëse vrasësi ishte në mesin e të arrestuarve.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson, foli sot për vrasjen e Momikës në një konferencë për shtyp në Stokholm.

“Unë mund t’ju siguroj se shërbimet e sigurisë janë thellësisht të përfshira sepse padyshim ekziston rreziku që të ketë një lidhje me një fuqi të huaj”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version