Drafti i Projektligjit për Prokurimin Publik i ishte dorëzuar Qeverisë së Kosovës në qershor të vitit të kaluar, ndërsa deri më tani ekzekutivi nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me këtë draft të grupit punues.
Ky projektligj ishte në plan-programin e Qeverisë së Kosovës edhe në shtator të vitit 2021, por ishte shtyrë.
Diana Metushi Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës e cila ishte pjesë e grupit të punës në këtë projektligj ka thënë për Telegrafin se Qeveria e Kosovës tashmë ka formuar edhe një grup të dytë të punës për shqyrtim e ndryshim të mundshëm të draftit të këtij projektligji.
“Drafti i projektligjit për prokurimin publik është dorëzuar në Qeveri në fillim të qershorit 2021. Fillimisht, LPP ka qenë në planprogramin e Qeverisë për shtator 2021, megjithatë, kjo pikë është shtyrë vazhdimisht dhe tani është në plan-programin e Qeverisë për qershor 2022. Deri me tani, Grupi i punës nuk ka pranuar ndonjë koment nga Qeveria rreth ndryshimeve të propozuara. Megjithatë, para pak dite, MF ka themeluar grupin e punës për shqyrtimin e këtij drafti dhe plotësimin e mundshëm të mëtutjeshëm”, tha Metushi-Krasniqi.
Ajo është shprehur se vonesa në miratimin e këtij ligji ndikon në performancën e prokurimeve publike, dhe po ashtu ndikon edhe në planet qeverisëse.
“Vonesat në miratimin e këtij ligji lejojnë të vazhdojë status quo lidhur me performancën e prokurimeve publike, mos arritja e vlerës për paranë dhe mangësitë aktuale që lidhen me emërtimin e Bordit të OSHP-së e që ka ndikim tejet të madh si në planet qeverisëse, stimulimin e ekonomisë vendore por edhe përfitimet direkte të qytetarëve”, thotë ajo.
Por nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar se kurdo që të kenë komente në lidhje me këtë projektligj, do të bëhen publike.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se Projektligji për Prokurim Publik sikur edhe të gjitha projektligjet e tjera do të shkojë në konsultime publike e do të jetë i qasshëm për të gjithë.
“Projektligji për Prokurim Publik është në agjendën legjislative për këtë viti dhe ne presim që deri në mes të vitit të miratohet në Qeveri. Komentet e Zyrës së Kryeministrit do të bëhen publike me kohë. Sikurse të gjithë projektligjet, edhe ky projektligj do të shkojë në konsultime publike, që do të thotë se do të jetë i qasshëm për të gjitha palët e interesuara”, deklaroi Kryeziu.
Ardit Dragusha, hulumtues në “Demokracy Plus” ka thënë për Telegrafin se hartimi i Projektligjit të ri të Prokurimit Publik po shkon shumë ngadalë.
“Puna për hartimin e Projektligjit të ri të Prokurimit Publik ka nisur në vitin 2020, por procesi i draftimit është duke ecur shumë ngadalë. Lajm i mirë është se Komisioni për Buxhet ka përfshirë në Plan të Punës këtë ligj dhe mendohet që gjatë muajit qershor të dërgohet në Kuvend”, u shpreh Dragusha.
Ndërkaq, sa i përket Ligjit aktual, Demokracy Plus ka nisur monitorimin e zbatimit të këtij Ligji, dhe do të dalin me të gjeturat sapo të jenë të gatshme ato.
“Ndonëse Ligji për Prokurimin Publik në pjesën më të madhe është harmonizuar me Direktivat e Bashkimit Evropian, ende ekzistojnë defekte të mëdha në aspektin e zbatimit të tij. Një nga problemet më të mëdha është mungesa e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OshP), një problem ky ende i pazgjidhur politikisht i cili ka ndikuar në bllokimin e shumë projekteve, përfshirë këtu edhe investime kapitale të cilat prekin direkt jetën e qytetarëve. Legjislacioni aktual në përgjithësi mbulon çështjet kryesore të Prokurimit Publik, por kjo kornizë ligjore nuk është amadamentuar në mënyrë që të harmonizohet plotësisht me Direktivat e Bashkimit Evropian të vitit 2014”, tha Dragusha.
Sipas saj “janë një numër i çështjeve të cilat kërkojnë harmonizim me Direktivat e BE-së, siç janë dispozitat për prokurimin e pajisjeve të ndjeshme ushtarake, prokurimi i gjelbër dhe ai social, dënimet alternative ndaj operatorëve ekonomikë”. /Telegrafi/