Site icon Telegrafi

Von Cramon: Është koha që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, duke komentuar Raportin e Progresit për Kosovën, ka deklaruar se raporti thekson progresin në shumë fusha reformuese, përfshirë reformën zgjedhore dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Ajo ka thënë se Komisioni Evropian në raport gjithashtu ka konfirmuar se qytetarët jashtë Kosovës do të udhëtojnë lirshëm drejt BE-së që nga 1 janari 2024!

“Zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të kaluara në dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, si dhe reformat e mëtejshme të Rregullores së Ligjit, përfshirë drejtësinë, janë kyçe për rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar Von Cramon në platformën sociale “X”, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, mesazhi i saj i fundit ka të bëjë me masat e vendosura nga BE-ja ndaj shtetit tonë.

“Më në fund, është koha që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës!”, ka shkruar Von Cramon.

Në raportin e progresit për Kosovën, theksohet se vendi ka bërë përparime të kufizuara në fushat që lidhen me procesin e përparimit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Lexo po ashtu Raporti i Komisionit Evropian, ku ngeci Kosova?

Aty theksohet se masat ndëshkuese që u vendosën ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri, “janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme, në varësi të hapave të ndërmarra për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Kosova ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur, por mbetet ende për të bërë”.

Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës në korrik si pasojë e vlerësimit të BE-së se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.

Masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës, përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). /Telegrafi/

Exit mobile version