Site icon Telegrafi

Volvo kontrollon automobilat përmes Apple Watch

A do të zëvendësojë një ditë ora inteligjente çelësat e makinës tuaj? Sigurisht që kjo është e mundur. Kompania e prodhimit të makinave Volvo ka bërë një hap më tej drejt kësaj risie.

Prodhuesi suedez lajmëroi së fundmi se ka përditësuar aplikacioni Volvo On Call, me anë të të cilit përdoruesi mund të kontrollojë funksione të caktuara të makinës së tij përmes pajisjes Android, iOS apo Windows Phone.

Përditësimi ofron gjithashtu mbështetje ndaj Apple Watch dhe orëve të tjera inteligjente të platformës Android Wear.

Volvo On Call u lancua në vitin 2001 si një sistem sigurie i cili ofronte një integrim mes automjetit dhe telefonit të përdoruesit në rastet kur ishte e nevojshme asistenca.

Ndërsa, tani Volvo On Call është zhvilluar nga një sistem i tillë në një aplikacion tepër funksional me anë të të cilit përdoruesi mund të hapë apo kyç dyert, të aktivizojë kondicionerin, të ndez radion, të ndez motorin etj.

Volvo On Call ndihmon përdoruesin të gjejë makinën në parking nëse nuk e mban mend se ku e ka parkuar atë, shkruan PC World Al.

Tani falë përditësimit më të fundit, të gjitha funksionet e lartpërmendura mund të kontrollohen nga kyçi juaj. Një imazh i publikuar nga Volvo tregon një orë ekranin e një Android Wear në të cilin shfaqet një njoftim: ‘Dyert janë të hapura. A doni t’i mbyllni?’.

Përtej kësaj, Volvo On Call do të ofrojë mbështetje për Cortana dhe do t’i lejojë përdoruesit të transferojnë informacione navigimi nga telefoni i tyre drejt automjetit.

Exit mobile version