Telegrafi

Volkswagen Tiguan Coupe edhe në version sportiv

Përderisa jemi duke pritur premierën e modelit të ri Volkswagen Tiguan, i cili pritet të mbahet muajin e ardhshëm në panairin e veturave në Frankfurt, raportohet se Tiguan Coupe i ardhshëm do të jetë në dispozicion edhe në version sportiv R.

Nëse kjo informatë është e vërtetë, atëherë Volkswagen Tiguan Coupe R do të dalë në shitje gjatë vitit 2018, me motorin 2.0-litër Turbo me katër cilindra dhe me kapacitet prej rreth 300 kuajfuqi, në kombinim me marshin me gjashtë shpejtësi dhe me dy koplunga, si dhe me sistemin për tërheqje në të gjitha rrotat, 4Motion.

Përmendet edhe funksioni Torque Vectoring, sistemi i konfigurimeve të amortizatorëve në katër mode, Aero Body Kit agresiv, rrotat më të mëdha prej alumini, frenat më të forta, sistemin sportiv të shkarkimit, transmeton Koha.net, enterier të përmirësuar me instrument-tabelën digjitale, ekranin Head-up, sistemin për ndihmë të shoferit…

Pritet që Tiguan Coupe R shpejtësinë prej 0 deri në 100 kilometra në orë ta arrijë për 5,1 sekonda.

Ashtu siç e cekëm edhe më lartë, Tiguani i ri do të prezantohet muajin e ardhshëm në panairin e veturave në Frankfurt dhe pritet të shfaqet në treg në vitin 2017, ndërsa në vitin e ardhshëm pritet të arrijë edhe versioni më i gjerë i këtij modeli, pra me shtatë ulëse.