Telegrafi

Volkswagen paralajmëron linjë të re të motorëve

Grupi i njohur automobilistik gjerman, Volkswagen, ka njoftuar se një familje e re e motorëve 1.5-litërsh është duke u bërë gati për lansim në vitin 2017.

Duke folur në “Detroit Auto Show”, Herbert Diess, shefi i brendit VW, ka treguar se kompania po planifikon të prezantojë një linjë të re të motorëve turbo 1.5-litërsh në modelin e ri të Golf VII.

Teksa përditësimi i ri i Golfit pritet të vijë në fund të vitit, motorët nuk do të jenë të gatshëm që në fillim pasi ata do të ofrohen në fillim të vitit të ardhshëm, transmeton koha.net.

Motorët 1.5-litërsh benzinë do të vijnë si pasardhës të modelit 1.4 TSI, ndërsa motorët e rinj me naftë zëvendësojnë motorët 1.6 TDI.

Sipas VW-së, prodhimi i këtyre motorëve do të jetë më i shtrenjtë, por do të jenë më të lehtë dhe më efikas.

Plani është që motorët të shërbejnë për të gjitha veturat e Volkswagenit duke përfshirë edhe të kompanive Audi, Seat dhe Skoda.