Bitcoin gjatë fundjavës së kaluar shënoi vlerën 58,354 dollarë, më e larta deri më tani, pothuajse dyfish nga viti i kaluar.
Mirëpo, aktualisht ka rënë afër nivelit 40 mijë dollarëve, gjë që është zhvlerësimi më i shpejtë që ka ndodhur për këtë kriptovalutë.
Sipas CoinMarketCap, përcjell Telegrafi, Bitcoin po tregtohet me mbi 44 mijë dollarë, pra një rënie prej 15 mijë dollarësh brenda një jave.
Të dhënat tregojnë, se Bitcoin brenda një jave kishte rënie rreth 22 për qind, ndërsa brenda 24-orëve u zhvlerësua me mbi 5 për qind.
Ditë më parë, Tesla kishte blerë 1.5 miliard dollarë në vlerë të Bitcoinit dhe tha se së shpejti do të pranonte pagesa në këtë monedhë.
Kurse, sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen ka lëshuar një paralajmërim në lidhje me rreziqet që paraqet Bitcoin për investitorët dhe për publikun.
Sipas Yellen, mbetet pikëpyetje në lidhje me legjitimitetin dhe stabilitetin e kriptovalutës.
Aktualisht vlera e tregut të kriptovalutave është 1.36 trilion dollarë, ndërsa Bitcoin përbën mbi 60 për qind të tregut. /Telegrafi/