Telegrafi

Vjosa Osmani fitoi trefish më shumë vota në Llap, sesa Sabri Hamiti dhe Skënder Hyseni bashkë (Foto)

Elektorati i Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit duket se gjithandej ka ndëshkuar figurat e vjetra politike. E këtë më së miri e dëshmojnë rezultatet preliminare nga shtabet zgjedhore.

Në listën e koalicionit LDK-AKR-Alternativa në zgjedhjet e së dielës në Podujevë del të jetë më i votuari bartësi i listës dhe i nominuari për kryeministër Avdullah Hoti me 7,886 vota, pas tij vijnë kandidatët e propozuar nga dega e LDK në Podujevë, Fidan Rekaliu me 5,973 vota, Vezir Januzi me 4,234 vota dhe Liman Zeqiri me 3,826 vota, raporton Telegrafi.

Kryetari i FR të LDK-së, Fidan Rekaliu me votat e grumbulluara edhe në komuna të tjera konsiderohet se do të arrijë numrin e mjaftueshëm të votave për të fituar mandatin e deputetit, por e njëjta nuk mund të thuhet edhe për dy kandidatët e tjerë nga Podujeva.

Ndërsa, ajo që bie në sy është numri i vogël i votave të fituara nga figurat e njohura, që janë në struktura udhëheqëse të LDK-së, e që vijnë nga Llapi.

Deputeti i të gjitha legjislaturave të deritashme Sabri Hamiti ka fituar gjithsej 500 vota, kurse Skender Hyseni 883 vota. Ndërsa, pothuajse trefishin e votave të Hamiti dhe Hysenit e ka fituar Vjosa Osmani, me gjithsej 3,402 vota.

Numër të konsiderueshëm votash në Podujevë kanë fituar edhe prurjet e reja, Lumir Abdixhiku (1,726) dhe Driton Selmanaj (1,940).

Sipas rezultateve preliminare të KQZ, LDK është parti fituese në Podujevë me 12,528 vota të fituara. /Telegrafi/