Komentet e presidentit amerikan Joe Biden për presidentin rus, Vladimir Putin “ngushtojnë dritaren” për përmirësimin e marrëdhënieve.
Ky ka qenë reagim i zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, pasi presidenti amerikan e përshkroi homologun e tij rus si një “kasap” gjatë një vizite në Poloni.
“Në fund të fundit, udhëheqësi i shtetit duhet të qëndrojë i matur”, tha Peskov për agjencinë e lajmeve TASS, përcjell Telegrafi.
“Çdo herë, ofendime të tilla personale ‘ngushtojnë dritaren’ e mundësive për marrëdhëniet tona dypalëshe nën administratën aktuale (SHBA). Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Biden e ka quajtur homologun e tij rus Vladimir Putin një “kasap” ndërsa ishte në një udhëtim në Poloni ku ka takuar ministra dhe refugjatë ukrainas.
Presidenti amerikan u takua me civilë ukrainas që kishin ikur nga qyteti i rrethuar i Mariupol në Ukrainë për në Poloni.
Kur u pyet se çfarë e kishte bërë të mendonte për presidentin rus Putin, derisa takoi refugjatët ukrainas, ai u përgjigj: “Ai është një kasap”.
Ndryshe, presidenti amerikan, Joe Biden ditë më parë kishte thënë se beson që udhëheqësi rus, Vladimir Putin “është një kriminel lufte” shkaku i sulmeve në Ukrainë. /Telegrafi/