Policia e Shtetit ka njoftuar sot se ka arritur të identifikoj dhe arrestoj njërin nga autorët që dyshohet se ka vjedhur filialin e Postës Shqiptare në Kamzë një ditë më parë.
Sipas policisë, shtetasi A. K., 20 vjeç, banues në Kamzë dyshohet se ka vjedhur një shumë parash nën kërcënimin e një arme.
Policia ka shtuar se gjithashtu u shpall në kërkim bashkautori tjetër, shtetasi E. S., 30 vjeç, banues në Kamzë, i dënuar më parë për vjedhje.
“Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, më datë 18.04.2022, rreth orës 14:20, nën kërcënimin e një arme, kanë marrë një shumë parash në filialin e postës Shqiptare në Kamzë dhe janë larguar”, ka njoftuar policia.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një aparat celular dhe veshje, të cilat autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/