Site icon Telegrafi

Vizita në SHBA, Osmani e Kurti bashkë në disa takime – po shihet si mundësi e mirë për Kosovën

Foto: Arkiv

Krerët e shtetit nuk i kanë konfirmuar akoma datat e vizitave të tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por disa prej takimeve, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin pritet t’i zhvillojnë së bashku. Agjenda e takimeve të Osmanit, sipas saj, ende nuk ka përfunduar.

Vizitat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dy i kanë paralajmëruar në periudhë të ngjashme.

Por, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti akoma nuk i kanë specifikuar datat e vizitave.

Megjithatë, disa takime në Amerikë, Osmani e Kurti do t’i zhvillojnë bashkë.

“Jemi duke punuar për disa vizita në SHBA sepse do të bëhen për qëllime të ndryshme. Në disa vizita do të jemi bashkë, në disa do të jemi ndaras. Në momentin që i kemi saktë të gjitha detajet e agjendës patjetër që do t’ju informojmë”.

Presidentja Osmani ka paralajmëruar se vizita do të realizohet gjatë prillit dhe majit, kurse Kryeministri Kurti në muajin maj.

Përveç se do të ketë takime të niveleve të ndryshme, nuk dihet se kë saktësish do të takojnë udhëheqësit e vendit.

Kurse hollësi për vizitën e Kurtit nuk ka dhënë Qeveria gjatë së enjtes.

Presidentja Osmani ka siguruar se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë në nivelin më të lartë.

“Ajo çka është me rëndësi është që bashkëpunimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jashtëzakonisht intensiv, është bashkëpunim në baza ditore, edhe me përfaqësuesin e SHBA-së në Kosovë, ambasadorin Hovenier edhe me Departamentin e Shtetit amerikan, edhe me National Security Council që është për brenda Shtëpisë së Bardhë dhe me zyrtarë të tjerë”.

Këto vizita, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, duhet të shfrytëzohen për të promovuar kërkesat rreth integrimit euro-atlantik.

“Është një mundësi e mirë që Kosova t’i shpreh konsideratat ose brengat e veta edhe sa i përket dialogut me Serbinë por edhe sa i përket gjendjes së përgjithshme në Ballkan dhe Evropë dhe rrezikun që vjen nga Serbia dhe armatosja e Serbisë”, deklaroi Seb Bytyçi për RTV Dukagjinin.

Gjatë këtij muaji, sipas presidentes Osmani, Kosovën do ta vizitojnë dy delegacionet të larta nga SHBA-ja. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version