Ministri i Jashtëm i Egjiptit kreu një vizitë të rrallë në Izrael, duke ofruar ndihmën e vendit të tij për të rinisur bisedimet e paqes me palestinezët.
Sameh Shukri bëri thirrje për zgjidhjen e shumëpërfolur mes dy shteteve, por tha se kushtet për ta arritur atë po përkeqësohen.
Udhëtimi i Shukri në Izrael shihet si një shenjë e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve që ndajnë një shqetësim të thellë për trazirat rajonale.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili zhvilloi bisedime me kryediplomatin egjiptian, tha se Izraeli mirëpret përpjekjet e Kajros.
Ministri egjiptian, i pari që viziton Izraelin që prej 2007-s, tha se situata aktuale në rajon nuk është e pranueshme.
“Nuk mund të pranojmë më pretendimin se ‘status quo’-ja është maksimumi që mund të arrijnë shpresat dhe aspiratat e popujve palestinezë dhe izraelitë”, deklaroi ai përkrah kryeministrit Netanjahu në Jerusalem.
Raundi i fundit i bisedimeve mes Izraelit dhe palestinezëve dështoi në prill të vitit 2014. Palestinezët akuzuan Izraelin se nuk pranoi të lironte të burgosurit, ndërsa Izraeli tha se nuk vazhdon negociata pas pranimit të lëvizjes islamike militante Hamas në qeverinë e unitetit.
Në fillim të këtij muaji, kuarteti i Lindjes së Mesme tha se dhuna që nuk ndalet, ndërtimi i kolonive izraelite dhe ndarjet mes vetë palestinezëve po dëmtonin shpresën për paqen. /tch/