Site icon Telegrafi

Vizita e kryeministrit Markoviq “vulosje” e qëndrimit të Malit të Zi për Demarkacionin

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, nesër do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, ku do të zhvillojë takime me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Kjo vizitë e kryeministrit malazez vie pas ftesës që i bëri vetë kryeministri Haradinaj, në një kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të deklarohet përfundimisht rreth Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila është nënshkruar në vitin 2015.

Ditë më parë të dyja qeveritë edhe ajo e Kosovës edhe ajo e Malit të Zi deklaruan se vizita e kryeministrit Markoviq pritet të jetë vizitë e rregullt, mirëpo duke mos anashkaluar edhe çështjen e Demarkacionit.

Lexo po ashtu Qeveria e Malit të Zi tregon qëllimin e vizitës së kryeministrit Markoviq në Kosovë

E kjo vizitë e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq sipas analistëve pritet të jetë shenjë e promovimit dhe avancimit të raporteve ndërshtetërore dhe fqinjësi tëë mirë në mes të dyja shteteve.

Të njëjtit shprehen se kjo vizitë nuk mund të shërbej për ndonjë zgjidhje të re sa i përket Demarkacionit.

Analisti Imer Mushkolaj ka theksuar se vizita e nesërme e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq në Kosovë, do të duhej që të shërbente si një takim i vullnetit të mirë në shtyrjen përpara të zgjidhjes së problemit të demarkacionit.

Ai ka thënë për Telegrafin se zgjidhja që po përflitet ditëve të fundit për Demarkacionin – që marrëveshja të pranohet më kushtin që gjetjet e mëvonshme të përmirësohen – do të mund të përfundonte edhe më herët, kur dihet sipas tij, se fqinjin perëndimor e kanë vizituar zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli dhe Enver Hoxhaj.

“Zgjidhja që po përflitet është në kuadër të marrëveshjes të lihet hapur mundësia që të përmirësohen, por jo të rinegociohet. Nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes, por miratim të versionit aktual dhe përmirësim eventual të lëshimeve që janë bërë gjatë procesit”, ka shtuar Mushkolaj

Sipas tij, problemi më i madh do të jetë arsyetimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nëse ratifikohet kjo marrëveshje, sepse për tri vite radhazi qytetarët e Kosovës janë bllokuar.

Në anën tjetër, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti ka thënë se kjo vizitë sa i përket Demarkacionit vetëm sa do ta konfirmojë qëndrimin e Malit të Zi rreth kësaj çështje.

Lexo po ashtu Qeveria tregon detajet e vizitës së kryeministrit të Malit të Zi në Kosovë

“Në kuptimin e zhvillimeve të Demarkacionit mendoj se do të konfirmohet ajo që është thënë disa herë që për Malin e Zi kjo çështje është e mbyllur dhe logjikisht nuk mund të jetë ndryshe për faktin se marrëveshja në fjalë është e ratifikuar nga Mali i Zi dhe si e tillë nuk mund të rinegociohet nga shefi malazez i ekzekutivit”, ka thënë Hoti për Telegrafin.

Ai më tej ka theksuar se pjesa tjetër lidhet me përpjekjet e lidershipit tonë politik për të gjetur formulën e ecjes përpara e cila sipas Hotit, synon ta mbajë gjallë shpresën që marrëveshja në fjalë do të rishikohet pas një afati të caktuar kohor.

“Kjo mbase edhe ka logjike sepse pavarësisht ratifikimit në parlamentet kombëtare, në secilin rast kur zbulohet element mashtrimi, lajthitje, dhune apo eventualisht korrupsion i negociatorit, marrëveshja në fjalë shpallet nule dhe e njëjta mund të rinegociohet. Nëse pala kosovare mund të provojë ndonjërin nga kushtet e cekura më lart, është e natyrshme që marrëveshja duhet të shpallet nule”, u shpreh Hoti, duke shtuar se përtej kësaj nuk pret ndonjë zhvillim dramatik, përveçse konsolidim të raporteve shtetërore dhe avancim me agjendën reciproke në integrimet evropiane të të dyja shteteve.

Kujtojmë se Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka shtyrë për një kohë të pacaktuar shqyrtimin dhe votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Kryesia e ka marrë këtë vendim për shkak të mungesës së konsensusit politik.

Demarkacioni është marrëveshje ndërkombëtare, andaj për ratifikim e saj nevojiten 80 vota, apo dy të tretat e votave të deputetëve. /Telegrafi/

Exit mobile version