Telegrafi

Vizita e Escobar e Lajçak në Kosovë, Haxholli: Do të ketë presion ndaj Kosovës, ky do të jetë një vit sfidues

Javën e ardhshme në Kosovë dhe Serbi do të qëndrojnë i Dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe i Dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite është diskutimi i hapave të ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA.

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një prononcim për Telegrafin ka përmendur disa nga temat që mund të diskutohen gjatë kësaj vizite.

Sipas Haxhollit, duke parë edhe letrën e sekretarit amerikan, Blinken, mund të konsiderohet si urgjente arritja e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, duke u shtuar kështu edhe më shumë presioni ndaj Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, sipas Haxhollit duhet të synojë të krijojë konsensus politik para vendimeve të mëdha.

“Po duke pasur parasysh letrën e Sekretarit amerikan Blinken, aty konsiderohet urgjente arritja e një marrëveshje Kosovë-Serbi. Presion do të ketë ndaj Kosovës natyrisht, do të jetë një vit shumë sfidues. Sidomos pjesa e dyte e vitit pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, pritet që të sjellë dinamika të reja në dialog. Duke pasur parasysh këtë Qeveria duhet të synojë që të krijoj një konsensus politik para vendimeve të mëdha dhe të vështira që po e presin shtetin e Kosovës”, theksoi ajo.

Gjatë takimeve që do të kenë Escobar dhe Lajçak në Kosovë, pritet që temë kyçe diskutimit të jetë dialogu Kosovë-Serbi thotë ajo.

“Po pritet që z.Escobar dhe z.Lajçak të kërkojnë nga përfaqësuesit ekzekutiv të Kosovës që të përkushtohen në rifillimin e dialogut me Serbinë, tanimë që ka përfunduar procesi i zgjedhjeve lokale në Kosovë. Po synohet që të organizohet një takim i nivelit të lartë politik mes Kryeministrit Kurti dhe Presidenti Vuçiq, para zgjedhjeve të prillit në Serbi”, tha Hahxolli.

Teksa, përveç çështjes së dialogut, siç thotë Haxholli mund të ketë edhe tema të tjera që përfshijnë edhe zgjedhjet e prillit në Serbi dhe disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Tema të tjera të takimit mund të jenë edhe zgjedhjet në Serbi dhe kërkesa që të gjinden modalitete për tu mundësuar qytetarëve serb me dy shtetësi që të votojnë. Përveç këtyre tema tjera që mund të ngritën gjatë takimeve janë edhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin dhe Manastirin e Deçanit”, u shpreh Haxholli për Telegrafin.

E sado që presioni po bëhet hapur, duket se është vështirë e parashikueshme arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi brenda një afati të caktuar.

“Vështirë të parashikohet nëse do të arrihet një marrëveshje finale gjatë këtij viti apo këtij mandati qeverisës. Prej kur ka filluar dialogu Kosovë-Serbi shumë herë është tentuar që të përcaktohen afate për përmbylljen e këtij procesi por deri më tani asnjë afat nuk është përmbushur. Me gjithë vullnetin e mirë të lehtësuesve të dialogut në fund arritja e një marrëveshje finale mbetet në vullnetin e Kosovës dhe Serbisë. Dhe në këtë drejtim me rëndësi nuk janë afatet por kualiteti dhe zbatueshmëria e marrëveshjes”, theksoi ajo. /Telegrafi/