Të martën dhe të mërkurën për vizitë në Prishtinë do të qëndrojnë i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar si dhe i dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Escobar dhe Lajçak gjatë qëndrimit në Prishtinë do t’i takojë liderët e shtetit dhe liderët e partive opozitare.
Emisarët për dialogun Kosovë-Serbi do të takojnë presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, liderët e opozitës si dhe liderët e serbëve në Kosovë.
Takimi i presidentes Vjosa Osmani do të mbahet sot në orën 16:30.
Ndërkaq, me liderët e partive opozitare, Escobar do të zhvillojë një darkë pune e cila organizohet nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Pjesëmarrjen në këtë darkë e kanë konfirmuar për Telegrafin nga PDK dhe AAK. /Telegrafi/