Telegrafi

Viva Fresh rritet me përkrahjen e BERZH-it

Banka Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është duke përkrahur zgjerimin e Viva Fresh-it – një ndër shitësit me pakicë kryesor në Kosovë, përmes financimit me 6.5 milionë euro për përmirësim të efikasitetit, modernizim dhe shtrirje të shitoreve të reja.

Ky financim është mundësuar nga BERZH-i dhe Fondi për Zgjerimin e Ndërmarrjeve (ENEF), që është një fond përkrahës me 48.5 milionë euro, në përkrahje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me potencial të lartë të rritjes në ballkanin perëndimor.

Fondi ENEF funksionon në bashkëpunim me BERZH-in për të vlerësuar dhe përmirësuar projektet. BERZH gjithashtu është investitor në fond, së bashku me Fondin Evropian për Investime (EIF), Bashkimin Evropian (EU), Bankën Gjermane për Zhvillim (DEG), Bankën e Austrisë për Zhvillim (OeEB), dhe Qeverinë e Italisë.

ENEF-i është pjesë e një platforme më të gjerë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME platforma), Zhvillimit të Ndërmarrjeve dhe Lehtësimin e Inovacioneve (EDIF), të themeluar nga BERZH-i me Bashkimin Evropian dhe Bankën Evropiane për Investime (EIB).

Financimi përmban kushte të barabarta nga BERZH-i dhe ENEF-i, dhe do të alokohet pjesërisht për ndërtimin e një qendre moderne të logjistikës, në përkrahje të rrjetit në rritje të shitoreve me pakicë të Viva Fresh-it, dhe pjesërisht për hapjen e gjashtë shitoreve të reja në Kosovë, ku kërkesa për formate moderne të shitoreve me pakicë është në rritje.

“Ky transaksion përforcon zotimin e BERZH-it për të ndihmuar sektorin privat në Kosovë. Ne jemi të kënaqur që po punojmë me një brend të fuqishëm lokal dhe që po përkrahim modelin e saj modern të shitjes me pakicë për të plotësuar nevojat e konsumatorit të sotëm në Kosovë”, ka thënë Zëvendës-Presidenti i Parë dhe Shefi i Zyrës Operative nga BERZH, Phil Bennett.

Holger Muent, drejtori i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, ka thënë: “Ky është projekti i parë i përbashkët ndërmjet BERZH-it dhe ENEF. Jemi të kënaqur që kemi arritur t’i zgjerojmë burimet e financimit për kompanitë private në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë ENEF-in për të bashkë-investuar me BERZH-in. Jemi shumë krenar të kemi Viva Fresh-in, si lider në shitjen me pakicë, për projekt të parë të bashkë-financuar me ENEF-in në tërë rajonin.”

“Jemi krenar të punojmë me BERZH-in për të nisur rritjen e mëtutjeshme, si dhe zhvillimin e tregut me pakicë në Kosovë dhe më tutje në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë se, si rezultat i këtij projekti, do të jemi në gjendje të përmirësojmë shërbimet tona dhe të rrisim pjesëmarrjen tonë në treg, duke i ofruar konsumatorëve zgjedhjen për një format më modern të shitjes”, ka thënë presidenti i Viva Fresh, Xhevdet Rexhepi.

BERZH ka filluar investimet në Kosovë në vitin 1999. Deri më sot BERZH ka nënshkruar 39 projekte në këtë vend në një volum neto kumulativ prej më shumë se 124 milionë euro. Kosova është bërë anëtare dhe vend i operimit të BERZH-it në muajin dhjetor të vitit 2012.