Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se është 100 për qind i fokusuar në menaxhimin e pandemisë, dhe se për zgjedhjet lokale nuk do të flas deri në momentin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vendos ta zëvendësoj.
Vitia gjatë konferencës për medie, theksoi se ai është i njëjti që ka qenë edhe më herët në pozitat politike, si drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë dhe si ministër.
“Unë jam Arben Vitia i cili është i njëjti person edhe para vitit 2013 edhe gjatë kohës kur kam qenë Drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës e edhe kur ka qenë Ministër në Qeverinë Kurti 1 dhe tani ministër në Qeverinë Kurti 2. Jam i njëjti Arben, por jam në kohëra të ndryshme”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë tha se nuk ka folur asnjëherë për garën për kryetar të kryeqytetit, duke shtuar se nuk ka bërë asnjë sekondë fushatë.
“Unë s’kam folur e as s’kam postuar asnjëherë për garën time si kryetar i Kryeqytetit. Në asnjë moment unë s’kam bërë asnjë sekondë fushatë siç jeni edhe ju dëshmitarë dhe i gjithë koncentrimi im është vetëm Ministria e Shëndetësisë dhe luftimi i pandemisë. Po përballemi me një variant jashtëzakonisht të rrezikshëm siç është Delta, prandaj jam i fokusuar 100% në këtë temë dhe kjo është hera e parë dhe e fundit që unë flas për garën zgjedhore deri në momentin kur Kryeministri do të vendos të më zëvendësoj”, deklaroi Vitia. /Telegrafi/