Një vit pas luftës së Izraelit në Gaza, territori palestinez është i panjohur dhe banorët e tij janë të rraskapitur nga shpërnguljet dhe mungesat e gjërave elementare, pa fund në horizont.
“Ndihej si dita e parë e luftës përsëri”, tha Khaled al-Hawajri, 46 vjeç, ndërsa forcat izraelite bombarduan lagjen e tij në Gaza të hënën, edhe kur Izraeli shënonte përvjetorin e sulmit të Hamasit, përcjell Telegrafi.
“Mbrëmë ne u terrorizuam nga bombardimet…”, tha Hawajri, i cili është zhvendosur 10 herë me familjen e tij prej shtatë anëtarësh gjatë vitit të kaluar.
“Ne jemi përballur me një vit të tërë në veri nën bombardime, terror dhe frikë në zemrat e fëmijëve të mi”, tha ai, duke shtuar se kishte qëndruar në veriun e shkatërruar të Gazës sepse “nuk ka vend të sigurt në të gjithë Rripin”.
Të hënën, qyteti i Gazës mezi ishte i njohur, i shkatërruar nga sulmet dhe luftimet e pamëshirshme ajrore izraelite, shkruan Al Arabiya English.
Banorët ecnin përgjatë rrugëve të dëmtuara, me ndërtesa të shkatërruara ose të mbetura pa fasada, ndërsa grumbujt e rrënojave mbushën rrugët.
Me karburant në mungesë dhe të shtrenjtë, trafiku i makinave ishte pothuajse inekzistent.
Shumica e njerëzve ecnin në këmbë, me biçikletë ose përdornin karrocat e gomarëve.
“Nuk ka energji elektrike dhe derivate të naftës. As dru zjarri nuk ka. Ushqimi është pothuajse inekzistent”, thotë 64-vjeçari Hussam Mansour, duke folur nga një rrugë në qytetin e Gazës, e rrethuar nga grumbuj rrënojash dhe rëre.
Kombet e Bashkuara thonë se 92 për qind e rrugëve të Gazës dhe më shumë se 84 për qind e objekteve të saj shëndetësore janë dëmtuar ose shkatërruar në luftë.
Luftë e gjatë
Mansour dhe djemtë e tij janë zhvendosur të gjithë dhe ndërtesa e tij e banesës u shkatërrua nga një sulm ajror izraelit.
“Tani kur eci rrugëve, nuk i njoh më”, ka thënë ai.
Ashtu si Hawajri dhe Mansour, 2.4 milionë banorët e Gazës janë përballur me vështirësi, pa shenja lehtësimi, edhe pasi Izraeli dyshohet se ricaktoi divizione në veri të vendit ku trupat po luftojnë kundër aleatit libanez të Hamasit, Hezbollahut.
Rreth 90 për qind e popullsisë është zhvendosur të paktën një herë, thonë Kombet e Bashkuara.
“Mbrëmë ishte një nga netët më të vështira të luftës, sikur lufta sapo kishte filluar!”, tha 46-vjeçari Muhammad al-Mukayyid, i zhvendosur nga kampi i refugjatëve Jabaliya në Gazën veriore.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se lufta do të zgjaste kaq gjatë”, ka shtuar ai.
“Ka kaluar një vit dhe ne kemi parë çdo lloj vuajtjeje – sëmundje, uri, rrezik dhe humbje”.
Ushtria izraelite ka luftuar Hamasin në Gaza që nga sulmi i grupit ndaj Izraelit, i cili rezultoi në vdekjen e 1,205 personave, sipas një raporti të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare izraelite.
Në anën tjetër, ofensiva ushtarake e Izraelit në Gaza ka vrarë të paktën 41,909 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas shifrave të dhëna nga ministria e shëndetësisë e territorit.
OKB-ja e pranon se shifrat janë të besueshme.
Dhe një vit më vonë, Izraeli nuk ka arritur ende një nga objektivat e tij kryesore: sigurimin e kthimit të të gjithë atyre që janë marrë peng më 7 tetor 2023.
Nga 251 të kapur atë ditë, 97 mbahen ende robër në Gaza, duke përfshirë 34 që ushtria izraelite thotë se janë të vdekur.
Ushtria izraelite është ende duke kryer operacione në Gaza për të liruar pengjet dhe për të shtypur Hamasin, në pushtet që nga viti 2007.
“Kishte një pushtim të papritur tokësor nga tanket dhe njerëzit po nxitonin të dilnin nga shtëpitë e tyre pa marrë asgjë me vete, vetëm duke mbajtur fëmijët e tyre dhe duke vrapuar nëpër rrugë me zjarr dhe predha që binin mbi ta”, kujton Mukayyid, duke iu referuar një operacioni ushtarak izraelit në Gazën veriore të dielën.
Ndërkohë, Hamasi vazhdon të luftojë. Krahu i saj i armatosur, Brigadat Ezzedine Al-Qassam, tha se lëshoi një breshëri raketash në Tel Aviv të hënën. /Telegrafi/