Site icon Telegrafi

“Vitet e dështimit”, opozita me akuza të shumta për tri vite të Qeverisë Kurti

Tri partitë opozitare kanë hedhur kritika në drejtim të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. Në tre vjetorin e qeverisë, opozita ka numëruar dështime që, sipas tyre, janë bërë në Kosovë.

14 shkurti i viti 2021 mbahet mend për një tërmet elektoral që kishte ndodhur në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, kishte prekur në shifra rekorde të përqindjes së fituara në zgjedhje të përgjithshme. Ky subjekt politik që për kryetar ka Albin Kurtin, kishte fituar mbi 50% të  mandateve.

Tri vjet pas, janë partitë opozitare ato që kanë kritika për mënyrën se si po qeveriset Kosova,  nga qeveria e Albin Kurtit.

Për deputeten e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, qeveria Kurti karakterizohet vetëm me skandale.

“Fatkeqësisht gjatë këtyre tri viteve krejt çka ka ba Qeveria në kohen kur është dashur më shumë koordinim qoftë për anëtarësim në KE, coftë për njohje të reja apo fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar apo edhe për dinarin, është pa që kjo qeveri në mënyrë të një pas njëshme ka treguar arrogancë më aleatin ndërkombëtar”, ka deklaruar Deliu-Kodra, për RTV Dukagjini.

Pak a shumë në linjë të njëjtë me PDK-në janë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Nga kjo parti opozitare theksin e vënë tek çështjet ekonomike.

“Kanë shpërnda qindra miliona pa kurrfarë kriteresh me një vendim të Ministrit Murati më nga dy paragrafë duke i barazu të varfrit më të pasurit duke u mundu që më 100 euro lëmosh të zgjidhin problemet e tyre por kemi pa që ato para kanë përfundu jashtë kufijve të vendit, është vështir për me fol për progres”, ka deklaruar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Në mes këtyre temave të përmendura nga PDK e LDK, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë edhe një kritikë tjetër.

Ata konsiderojnë se Kurti po mbahet me vendime populiste për veriun e vendit.

“Kemi ngecje në zhvillimin ekonomik, nuk kemi mbështetje në asnjë drejtim lidhur më subvencione në ekonomi, nëse e marrim arsim, ju e dini që kanë qenë të propozuara 160 çerdhe dhe janë ndërtuar vetëm katër që tri vite dhe po ashtu procesi mësimor ka ngecje”, ka deklaruar Pal Lekaj nga AAK.

Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet me 14 shkurt ndërsa Qeverinë me kryeministër Albin Kurtin e kishte zgjedhur në fund të muajit mars të viti 2021. /Dukagjini/

Exit mobile version