Telegrafi

Nëntë pacientë të shtruar në Klinikën Infektive, dy prej tyre në gjendje më të rëndë

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, ka folur për gjendjen e pacientëve të infektuar e të shtruar në këtë klinikë. 

Vishaj në një prononcim për Telegrafin tha se për momentin në këtë klinikë janë shtruar nëntë pacientë, ku dy prej tyre siç u shpreh ai janë në gjendje pak më të rëndë.

Drejtori i Klinikës Infektive, po ashtu theksoi se gjendja në këtë klinikë në përgjithësi është stabile.

“Gjendjen për momentin e kemi stabile në Klinikën Infektive. Për momentin i kemi të shtruar nëntë pacientë, dy prej të cilëve janë në gjendje pak më të rëndë, përndryshe tjerët e kanë gjendjen klinike stabile. Jemi duke e përcjell situatën…në mjekimin intensiv nuk kemi të pranuar për momentin pacientë me COVID-19”, ka thënë Vishaj për Telegrafin.

Ndërkaq, sot edhe drejtori i Shërbimit Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka zhvilluar një takim me drejtorët e spitaleve të përgjithshme, pas rritjes së rasteve të reja me COVID-19.

Lexo po ashtu Pas rritjes së numrit të rasteve, mblidhet Komiteti i SHSKUK-së për menaxhimin e pandemisë me COVID-19

Krasniqi gjatë takimit ka kërkuar mobilizim për ndonjë valë të virusit COVID-19 në vend.

“Dje kam pas takim me Komitetin për Menaxhimin e Pandemisë, prandaj e pashë të arsyeshme të ju ftoj edhe juve si drejtorë të spitaleve që të kërkoj një mobilizim për ndonjë valë të madhe”, iu tha Krasniqi drejtorëve të spitaleve.

Ndryshe, të martën është mbledhur edhe Komiteti i ShSKUK-së për Menaxhimin e Pandemisë COVID-19, në të cilën ishte analizuar situata e fundit pas rritjes së rasteve të spitalizuara si dhe u kërkua ri- mobilizimi për përballimin e valës eventuale që mund të shoqërohet me rritje të mëtejme të spitalizimeve. /Telegrafi/