Telegrafi

Viola von Cramon: Qeveria Kurti duhet të angazhohet për dialogun – shpresoj që liberalizmi i vizave të bëhet deri në fund të vitit

Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Von Cramon në një konferencë për media shpjegoi në pika të shkurta raportin e dërguar në Parlamentin Evropian për Kosovën për vitin 2019/20.

Ajo tha se liberalizimi i vizave është një çështje urgjente që duhet të zgjidhet sa më shpejt për qytetarët kosovarë.

“Kemi pasur bashkëpunim tejet të madh mes të gjitha grupeve nëpër takimet dhe e kanë përmbushur raportin me bashkëpunimin e tyre. Kemi përcjell mesazhin e artë për Kosovën dhe integrimin e Kosovës, të ardhmen e saj. Ka ende probleme para ndesh. Luftimi i korrupsionit është i nevojshëm. Është punë që duhet të shtyhet përpara nga qeveria e re që duhet të punojë për rend dhe ligj”, është shprehur von Cramon.

“Edhe sot në parlament e ngritëm çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Shpresoj se mund ta finalizojmë këtë deri në fund të vitit, çfarë do të ndikonte edhe në rikthimin e besimit tek BE”, u shpreh ajo.

Lexo po ashtu Parlamenti Evropian me shumicë të votave pro liberalizimit të vizave për Kosovën, kërkohet që të veprojë KE-ja

Tutje ka folur edhe për dialogun Kosovë -Serbi.

“Qeveria e re duhet të angazhohet për dialogun. Kemi parë në javët dhe muajt e kaluar që është bërë progres dhe do të donim që ky proces të vazhdojë në javët dhe muajt në vijim. Dialogu është parakusht për rrugën drejt BE-së”.

Von Cramon në fund i bëri thirrje spektrit politik në vend që të zgjidh edhe çështjen e presidentit sa më shpejt.

“Po ashtu shpresoj që të votohet presidenti i ri, që duhet të ndodhë shumë shpejt dhe të mos ketë shkuarje nga zgjedhjet në zgjedhje”.