Vinicius Junior është padyshim një ndër lojtarët më të mirë tek Real Madridi. Tani pas largimit të Karim Benzema ai ka marrë mbi supet e veta përgjegjësinë për të udhëhequr vijën e sulmit tek Los Blancos.
Përveç golave dhe asistimeve në fushën e lojës, Vinicius i ka ndihmuar klubit të tij edhe jashtë saj.
Ai ka deklaruar se para se Bellingham të vendoste përfundimisht për ofertën e Real Madridit, pothuajse çdo muaj i ka dërguar mesazhe duke i kërkuar që të pranojë ofertën e madrilenëve.
“Nuk e kam njohur Bellingham personalisht por e dija se ekipet tjera po e kërkonin atë. Unë i shkruaja atij çdo muaj”, ka thënë Vinicius.
Në të njejtën mënyrë ai thotë se ka vepruar edhe me Eduardo Camavingan, me të cilin ndan një raport shumë miqësor edhe jashtë fushës.
“Të njëjtën gjë e kam bërë edhe me Camavingan. Duke i dërguar mesazhe me të njëjtën kërkesë. Ishte vetëm diçka si ‘Mos harro miku im, Real Madridi është klubi më i mirë në botë’, kjo pra”, përfundoi braziliani.
Real Madridi e ka nisur mjaft mirë edicionin e ri të garave teksa e gjen veten lider në La Liga me 24 pikë, ndërsa kryeson edhe në grupin C në Ligën e Kampionëve me gjashtë sosh./Telegrafi/