Site icon Telegrafi

Vilë, restorant, banesë, autoblindë, dhjetëra vetura, eskavatorë…, lista e gjatë e pasurive që iu konfiskuan Milan Radoiçiqit (Dokument)

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar një dokument me listë të gjatë të pasurisë që i është konfiskuar kreut të grupit terrorist serb Milan Radoiçiq, në veri të Kosovës.

Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara ka konfiskuar sot dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut dhe një në komunën e Zubin Potokut, të cilat janë të lidhura me sulmin e një grupi të armatosur serbësh ndaj policisë së Kosovës në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut,Veton Elshani tha për Telegrafin se policia ndihmoi këtë agjenci, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë të Kosovë.

“Ka pasur një urdhër gjykate për konfiskimin e tre pronave, vilës së Milan Radoiçiqit, restorantit “Grey” dhe një banese në katin e gjashtë mbi restorantin Grey”, tha Elshani.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka publikuar listën e gjatë të pasurisë dhe mjeteve që i janë konfiskuar Radoiçqit.

“Dokumentet më poshtë janë lista të gjata të pasurive të shumta të konfiskuara dhe sekuestruara të një kryekrimineli që vet është bërë milioner ndërkohë që qytetarët e komunitetit serb i ka përdorur përmes frikës, kërcënimit dhe shantazhit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, transmeton Telegrafi.

Ministrja Haxhiu një ditë më parë ka njoftuar se kanë nisur zbatimin e urdhrit ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska.

Lexo po ashtu Policia konfiskon tri prona të Milan Radoiçiqit në veri

“Pra, për vete milioner përmes krimit e qytetarëve terrorin dhe varfërimin. Por, kjo epokë ka marrë fund. Ka ardh koha që qytetarët të jetojnë të qetë e kriminelët të ndëshkohen”, ka shkruar ajo.

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – ka pranuar se ka organizuar dhe udhëhequr sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.

Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron pas sulmit në Banjskë, por Beogradi ka thënë se nuk ka gisht në të.

Lexo po ashtu U konfiskuan pas sulmit terrorist në Banjskë, 31 mjete transportuese iu dhanë Policisë për shfrytëzim   

Në dhjetor të vitit të kaluar, Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) kishte lëshuar një fletarrestim për Radoiçiqin me kërkesë të Kosovës, i cili iu dërgua përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Supozohet se Radoiçiq ndodhet në Serbi.

Radoiçiq u paraqit para Gjykata e Lartë në Beograd tetorin e vitit të kaluar, por gjykata poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike për të caktuar masën e paraburgimit. Atij i është shqiptuar masa e ndalimit të daljes nga territori i Republikës së Serbisë, si dhe e ndalimit për të shkuar në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje disa herë që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë. /Telegrafi/

Lista e pasurisë që i është konfiskuar Radoiçiqit:


Exit mobile version