Megjithëse për shumë nga këngëtarët shqiptarë sezona e dimrit është pushim, një pjesë e tyre nuk kanë të ndalur në prodhimin e projekteve muzikore.
Vetëm gjatë këtij vikendi janë paralajmëruar disa videoklipe të reja, të cilat do të fillojnë publikimin që nga sonte, transmeton Telegrafi.
Dyshja e famshme Real 1 dhe Dj Blunt do të publikojnë sonte këngën e titulluar “Presion”, e cila do të vijë e realizuar me videoklip nga Entermedia dhe vjen pas këngës “Xhinset”, e cila megjithëse u cilësua si e vjedhur arriti një sukses të madh.
Reperi ferizajas, 2 Ton tashmë ka realizuar këngën e re me videoklip, e cila titullohet “Pikë”. Kjo këngë e punuar nga vetë reperi dhe Bini është vizuelizuar nga produksioni “Max Production” dhe pritet të publikohet nesër.
“Erën e saj” titullohet projekti i ri i Adelina Berishës në bashkëpunim me Robb Daddyn, i cili sipas pamjeve të para do të sjell këngëtaren me një pamje mahnitëse.
Një tjetër projekt i paralajmëruar por jo i konfirmuar nga vetë këngëtarja është një bashkëpunim mes Dafina Zeqiri dhe Mixey. Ditë më parë burime të Radio Dukagjinit thanë se dyshja kanë realizuar një këngë së bashku, e cila gjatë vikendit do të publikohet e realizuar me videoklip./Telegrafi/