Civilët palestinezë kanë “frikë” nga presioni ushtarak i Izraelit në qytetin jugor të Rafahut, sipas një punonjësi të ndihmës, ndërsa Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) zgjerojnë ofensivën e tyre në të gjitha pjesët e territorit.
“Të gjithë kanë frikë nga zgjerimi i operacionit tokësor në Rafah”, ka thënë të hënën Raed Al-Nims, Drejtor i Medias i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Gaza, përcjell Telegrafi.
Reagim i tij vjen pasi ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se trupat tokësore të IDF do të “mbërrijnë së shpejti” në Rafah – ku më shumë se gjysma e të gjithë popullsisë së Gazës është zhvendosur me forcë që nga fillimi i luftës.
Në javët e fundit, IDF ka shtuar sulmet e saj vdekjeprurëse në qytetin jugor të Khan Younis, ku spitalet lokale dhe një strehë e OKB-së u bombarduan ashpër.
Një “avion luftarak goditi një celulë terroriste të Hamasit”, e cila ishte “përgatitur për të sulmuar trupat e IDF në një strukturë aty pranë me eksplozivë”, tha IDF.
Në Khan Younis perëndimor, IDF tha se trupat “vranë dhjetëra terroristë që u zunë pritë trupave në të gjithë qytetin”.
“Në një aktivitet të veçantë të IDF-së të drejtuar nga inteligjenca në Khan Younis, trupat e IDF kryen sulme të synuara ndaj objektivave terroriste dhe gjetën armë duke përfshirë pushkë AK-47, pushkë snajper, granata dhe municione. Trupat gjithashtu vranë 10 terroristë duke përdorur zjarr nga afër dhe mbështetje ajrore”.
Ndërkohë një paralajmërim ka ardhur edhe nga drejtori i zyrës së mediave qeveritare të Hamasit.
Ai i tha CNN të hënën se zgjerimi i fushatës tokësore të ushtrisë izraelite në Rafah, në Gazën jugore, do të “shkaktonte një fatkeqësi të vërtetë” brenda enklavës palestineze.
Trupat izraelite nuk janë ende në terren në qytetin jugor në kufi me Egjiptin, tha Ismail Al-Thawabta.
“Hyrja e tyre në Rafah do të shkaktojë një fatkeqësi të vërtetë në krye të fatkeqësive ndaj të cilave është i ekspozuar Rripi i Gazës”. /Telegrafi/