Veturën e vjedhur sot pasdite në Prishtinë, Policia e Kosovës e ka gjetur afër kufirit me Maqedoninë e Veriut, kurse personi i dyshuar për vjedhje e kishte braktisur veturën për t’iu shmangur arrestimit.
Në orët e pasdites në lagjen Kodra e Trimave, sot rreth orës 15:00 është vjedhur një veturë, e cila ishte parkuar për pak çaste pranë trotuarit.
Mirëpo, pas pak orësh policia ia ka dalë ta gjejë veturën në një lokacion në Komunën e Vitisë, afër kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Gjetjen e veturës e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Ju konfirmoj lidhur me rastin e veturës së raportuar të vjedhur sot pasdite në Prishtinë se, pas angazhimeve të zyrtarëve policorë dhe bashkërendimit të veprimeve hetimore dhe operative në mënyrë profesionale Policia e Kosovës ka arrit që veturën në fjalë ta gjejë dhe lokalizojë në një lokacion në Komunën e Vitisë afër kufirit me Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Hoxha, për Telegrafin.
Më tej ai ka thënë se “veprime tjera policore janë ende në proces për identifikimin dhe gjetjen e personit të dyshuar, i cili ka braktisur veturën për t’iu shmangur arrestimit nga Policia”. /Telegrafi/