Telegrafi

Veturat qeveritare mbesin jashtë kontrollit të shpenzimeve (Video)

Një numër i madh i veturave qeveritare vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit të shpenzimeve.

Nga më shumë se tremijë sosh, sa llogaritet të jenë, numri i veturave zyrtare të pajisura me GPS është 1639, projekt ky i nisur më 2010, raporton KTV.

Zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike, në një përgjigje me shkrim thonë se kanë hasur në shumë vështirësi që projektin e nisur vite më parë ta realizojnë në tërësi.

Arsye për këtë ata përmendin mungesën e buxhetit, dhe se ka qenë problem që të përshtatet koha e vendosjes së tyre, pasi është dashur të pritet kur ato kanë qenë të lira, përcjell koha.net. Kurse, aktualisht vendosja e GPS-ve dhe monitorimit të tyre u ka kaluar abonimi.

Zëvendës auditori i Përgjithshëm, Artan Venhari, thotë se këto shpenzime vazhdojnë të jenë me miliona euro për çdo vit, ndërsa menaxhimi i kësaj vije buxhetore po përcillet me dobësi të shumta.

Nga raporti i fundit i Auditorit të Përgjithshëm, vetëm për vitin 2013, 8.1 milionë euro ishin shpenzuar nga buxheti i Kosovës për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare të Qeverisë, e që kjo shumë e parave ishte keqpërdorur nga vetë stafi politik dhe administrativ i ministrive.