Telegrafi

Vetura goditi dy fëmijë në Pejë – njëri prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore, po trajtohet në Mjekimin Intensiv të QKUK-së

Foto: Ilustrim

Dy fëmijë janë goditur nga një veturë pasditen e së dielës rreth orës 14:45 në qytetin e Pejës.

Sipas informatave të para nga ana e policisë, është thënë se fëmijët kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërkaq njëri prej tyre për shkak të lëndimeve më të rënda është transportuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla i ka thënë Telegrafit se gjendja shëndetësore e fëmijës vazhdon të jetë e rëndë, por stabile.

Lexo po ashtu Vetura godet dy fëmijë në Pejë - policia jep detaje

“Po i njëjti është trajtuar mbrëmë te ne në Qendrën Emergjente dhe pastaj është transferuar në Mjekimin Intensiv Qendror për trajtim të mëtutjeshëm. Gjendja e pacientit është e rëndë, por stabile momentalisht”, ka thënë Syla.

Ndryshe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, me veturë nga pa kujdesia ka goditur dy këmbësor meshkuj kosovarë, si dhe një motoçiklist me pasagjer meshkuj kosovarë.

Lexo po ashtu Pamje nga momenti kur vetura "hedh në ajër" dy të mitur në Pejë

“Katër viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Ndërkaq Prokuroria Themelore në Pejë, gjithashtu ka konfirmuar se i dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë për shkak të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik”. /Telegrafi/