Telegrafi

Vetoja ruse bllokon rezolutën e Shqipërisë dhe SHBA-së në OKB që dënon referendumet e paligjshme të Rusisë në Ukrainë

Rusia bllokoi me veto në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezolutën e propozuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja, ku kërkohej dënimi i referendumeve të paligjshme në Ukrainë.

Përmes rezolutës u bëhej thirrje të gjitha shteteve që të mos i njohin ndryshimet territoriale te bëra nga Kremlini dhe që Rusia të tërheqë trupat nga territoret ukrainase.

Dhjetë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, votuan pro, ndërsa Kina, Gaboni, India dhe Brazili abstenuan nga votimi, raporton skynews.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se votimi në vend të kësaj do të çohet në Asamblenë e Përgjithshme prej 193 anëtarësh, ku nuk ka veto.

Ajo tha se donte të tregonte se bota është “ende në anën e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial”.

Siç kemi raportuar gjatë ditës së sotme, Rusia ka aneksuar zyrtarisht rajonet e pushtuara ukrainase të Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia. /Telegrafi/